Hapja e dyerve të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, në Durrës, që prej gati dy vitesh ka qenë në proces rikonstruksioni tashmë mbetet çështje ditësh.
Këtë e konfirmojnë edhe njoftimet e Bordit të shkollës 9-vjeçare, që janë shpërndarë tek prindërit e nxënësve. Të gjithë prindërve u është kërkuar që në mënyrë vullnetare të kontribuojnë me shumën prej 1.000 lekësh të rinj, për të plotësuar nevojat emergjente të shkollës së re.
Bordi njofton se shkolla do të jetë gati brenda 10 ditësh, por për të plotësuar kërkesat imediate nevojitet shuma në fjalë.
Që nga marsi i vitit 2017, nxënësit e “Marie Kaçulinit” detyrohen të zhvillojnë procesin mësimor pasditeve, në dy shkolla të tjera të qytetit, tek “Leonik Tomeo” dhe “Bernardina Qeraxhia”.
Shkolla “Marie Kaçulini” u shemb tërësisht për të ndërtuar një shkollë të re. Bashkia e Durrësit akordoi 860 milion lekë për ndërtimin e saj. Nga 1050 metra katror që ishte godina e mëparshme e shkollës, është planifikuar që sipërfaqja e çdo kati të jetë 1550 metra katror.
Në godinë është parashikuar instalimi i sistemit qendror me ngrohje, ndërtimi i një salle multifunksionale, i palestrës, laboratorëve të ndryshëm etj.





