Një person nga Shkodra që kishte porositur një makinë për t’ia sjellë nga Italia në Shqipëri, përmes portit të Durrësit, ka zbuluar në momentin kur është paraqitur për ta marrë në port se në fakt makina rezultonte e vjedhur.

Policia sqaron se “Më datë  14.07.2017 është paraqitur në kabinën e kontrollit të automjeteve në Port Durrës, për të marrë një automjet të llojit veturë, në pronësinë e tij, të cilin e kishte postuar nga Italia në Portin e Durrësit, i cili pas verifikimit të bërë nga punonjësi i policisë në sistemin ASF2 Interpol ka rezultuar i vjedhur. Nga Interpol Tirana u konfirmua se mjeti në fjalë rezulton të jetë i vjedhur”.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së premtes, në orën 21:00, dhe pas konsultimit me prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, u kryen veprimet e para hetimore në gjendje të lirë ndaj 29-vjeçarit me iniciale E.T., për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.