Durrës, 21 gusht 2014 – Pak ditë më parë Gjykata e Durrësit, me vendim të saj të datës 19.08.2014, kishte urdhëruar shtetasin Aleks Kola të qëndronte larg shtëpisë së tij për një periudhë 20 ditore.
Kola ishte denoncuar nga bashkëshortja e tij 39 vjeçare për ushtrim dhune dhe përballë fakteve të paraqitura në sallën e gjyqit, gjykata kishte vendosur që 44 vjeçari të mos shkelte në shtëpi derisa të përmbyshej afati i përcaktuar.
Por vendimi i gjykatës nuk është respektuar nga 44 vjeçari Kola, që, duke mos marrë parasysh pasojat e veprimit të tij, i është drejtuar banesës së tij ditën e djeshme.
E njoftuar për praninë e 44 vjeçarit në banesë, policia e Durrësit ka shkuar në vendngjarje dhe ka prangosur Aleks Kolën në flagrancë, orët e vona të së mërkurës.
Veç akuzave për të cilat doli para togave të zeza herën e parë, tashmë Kola do të duhet të përballet me një akuzë të re.
Ai akuzohet për konsumimin e veprës penale “Pengim i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





