DURRËS, 20 shtator 2014 – Ajo çka ka mbetur nga mbikalimi i parë qytetës në  Shqipëri, i vendosur 15 vjet më parë në afërsi të stacionit hekurudhor të udhëtarëve  do të shtetet si hekurishte. Ndërmarrja Rruga e Durrësit njofton se më 29 shtator 2014 do të organizojë një tender për shitjen e skrapit të nxjerrë nga dalja jashtë përdorimi të mbikalimit te stacioni i trenit, me një vlerë fillestare 1 815 000 lekë, por pa specifikuar peshën. Për rreth 12 vjet mbikalimi te stacioni hekurudhor i udhëtarëve, i ndërtuar mbi rrugën hyrëse të qytetit bregdetar, shndërrua si një nga ikonat urbanistike të Durrësit.

E ndërtuar në vitet 1999-2000, si një nismat e kryebashkiakut të asaj kohe, z. Arqile Gorea, kjo “urë” shënon nisjen e ndërtimit të këtyre veprave të artit për kalimin e këmbësorëve në autostrada dhe në hyrje qytetesh. Nga ky mbikalim bëheshin foto të bukura spektakolare të qytetit si nga ana e Urës së Dajlanit ashtu dhe nga ana e pallatit të sportit “Rramazan Njala”. Por shpejt, nuk dihet përse, ndoshta, për shkak të llogaritjeve konstruktive dhe mosmirëmbajtjes, pjesa kaluese u dëmtua, po ashtu dhe konstruksioni metalik. Kalimi mbi të vitet e fundit filloi të paraqiste rrezikshmëri për njerëzit, sidomos për të moshuarit. Në atë mbikalim ka pasur dhe orvatje për vetëvrasje.

Tani nuk është më.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/