Durrës, 23 maj 2014 – Shkon të marrë foshnjen në shtëpinë e prindërve të burrit, rrihet me këtë të fundit dhe bën denoncim në polici.

Këtë herë protagonistë të dhunës në familje janë bërë një çift i ri nga Durrësi, prindër të një fëmije 9 muajsh.

Prej gjashtë muajsh, fëmija i mitur qëndronte në shtëpinë e prindërve të bashkëshortit, por kur nëna e re 26 vjeçare ka shkuar ta marrë është konfliktuar me burrin e saj. Ngjarja është regjistruar një ditë më parë, rreth orës 11.00.  

Marrja e fëmijës nga nëna 26 vjeçare nuk është pritur mirë nga bashkëshorti i saj, shtetasi M.A., 29 vjeç. Të dy kanë nisur të konfrontohen me njëri-tjetrin në ambientet e shtëpisë së prindërve të 29 vjeçarit, dhe për pasojë i kanë shkaktuar dëmtime trupore njëri – tjetrit.

Pasi është ndeshur me këtë situatë në shtëpinë e bashkëshortit, nëna 26 vjeçare është drejtuar për në komisariatin e policisë, për të bërë denoncimin për dhunën e pësuar.

Efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal për 29 vjeçarin M.A., që akuzohet për “Dhunë në familje”. Ndërkohë, për bashkëshorten e tij e dhunuar, policia ka plotësuar Kërkesë – Padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/