Durrës, 1 shtator 2014  – Dy konflikte të regjistruara në fundjavë në qarkun e Durrësit janë mbyllur me dy persona të plagosur, ndërkohë që në pranga kanë përfunduar dy autorët e tyre.

Për të sulmuar kundërshtarin e tyre, dy autorët e këtyre sulmeve kanë përdorur mjete të forta si shkop bejsbolli dhe sfurk, duke i shkaktuar lëndime të shumta trupore një 44 vjeçari nga Durrësi dhe një 21 vjeçari nga fshati Gramëz i Krujës.

Në prangat e policisë së qarkut Durrës kanë përfunduar 33 vjeçari Elton Kila, i cili gjatë një konflikti pronësie ngordhi në dru me shkop bejsbolli 44 vjeçarin F.H., si dhe 49 vjeçari Sherif Visha që çau me sfurk 21 vjeçarin F.P.

Ndaj dy të ndaluarve policia ka hapur çështje penale pasi akuzohen respektivisht për “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta” 33 vjeçari Elton Kila dhe “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë" për shtetasin Sherif Visha.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/