Shkrimtari dhe gazetari durrsak, Bashkim Hoxha, zgjodhi ditën e dashurisë dhe qytetin e tij të lindjes për të paraqitur para dashamirësve të letërsisë romanin e tij më të fundit "Kronikat e mjegullës", që u botua pak ditë më parë, në 65-vjetorin e lindjes së autorit.

Me një rrëfim të zhdërvjellët dhe shpesh ironik, romani zbret në vitet '30 të shekullit XX duke sjellë një histori shqiptare me dritëhijet e saj që depërton në psikologjinë e shoqërisë sonë, e siç thotë autori, riciklon veten. 

Përmes historive njerëzore që trajton, romani kapërcen kohët dhe kthehet në një ftesë të hapur për të rishkruar historinë e shpërndarë mjegullën që e rrethon atë.

Është një metaforë që tregon të vërtetat dhe të pavertetat e historisë sonë. Historinë e trukuar e të retushuar. Libri është një ftesë për të riparë historinë tonë me realizëm dhe për t’i thënë të vërtetat drejt e në sy.

Edhe pse jo qëllim në vetvete i autorit, romani sjell dhe një disbalancë gjinore të kohës. Realitetet e mesazhet shtrihen në kohë, duke i kapërcyer vitet '30 në të cilat vendosen ngjarjet.

Është rastësore dhe ka ardhur si pasojë e vështrimit realist të vetë shoqërisë shqiptare në shekullin XX e cila në rreshtin e parë ka pasur gjithnjë burrat.

K.H.