DURRËS, 2 korrik 2013 – Një banesë e braktisur është përfshirë nga flakët, në lagjen numër 12 në afërsi të tregut të Fruta-Perimeve në Durrës.

Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset si dhe efektiva të policisë, të cilët fillimisht kanë evakuar banorët, të cilët kishin shtëpitë ngjitur me vendin ku ka rënë zjarri.

Si pasojë e rënies së zjarrit është shkrumbuar totalisht një shtëpi një-katëshe në pronësi të Nehat Viganit, i cili prej 20 vitesh jetonte në Itali.

Në vendngjarje mësojmë se si pasojë e rënies së zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërkohë që nuk ka pasur të lënduar në njerëz.

Zjarrfikësve u është dashur plot 40 minuta punë për të neutralizuar flakët, të cilat fillimisht kishin përfshirë çatinë e shtëpisë, për t'u përhapur me shpejtësi edhe në ambjentet e brendshme të banesës.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rënies së zjarrit.

Paraprakisht, policia dyshon se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme nga banorë të zonës.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/