Shoqata e autobuzëve në Durrës ndjehet në vështirësi për shkak të konkurencës së pandershme të minibuzëve dhe furgonëve të palicencuar që përshkojnë çdo dite itinerarin Durrës -Tiranë dhe anasjelltas.
Kreu i njërës prej shoqatave, Zef Nikolli, thotë se situata është e papranueshme prej tyre, pasi megjithëse furgonët e kanë një stacion në sheshin “Pranvera”, ata persëri ndalojnë dhe u marrin pasagjerët autobuzëve, gjë që ka shkaktuar shpesh deri konflikte fizike mes palëve.
Ai bën me dije se janë rreth 100 furgonë pa licenca që bëjnë këtë linjë transporti udhëtarësh. Për këtë, ai kerkon që të zbatohet vetëm ligji dhe nëse kjo ndodh, çdo gjë do të normalizohej. Por për këtë duhet që institucionet vendore, të marrin masa për respektimin e ligjit nga të gjithë.
Problemi i konkurencës së pandershme nga ana e furgonëve të palicencuar është një problem i vjetër që është ngritur shpesh nga shoqata.





