DURRES– Qendra kulturore e fëmijëve Durrës ka hapur siparin e aktiviteteve të këtij viti me edicionin e katërt të Kampionatit të shahut.
“Në kuadër të veprimtarive artistiko-kulturore-sportive që kjo qendër organizon në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe drejtoritë e shkollave publike dhe jo publike të Durrësit ne sot startuam edicionin e katërt të Kampionatit të Shahut për shkollat 9-vjeçare. Vërej me kënaqësi që vit pas viti pjesëmarrja e nxënësve ka shënuar rritje dhe aktiviteti është mirëpritur nga nxënësit e shkollave dhe mësuesit”,- tha drejtoresha e QKF-së, Gladiola Busulla për Durrëslajm.com
Në edicionin e këtij viti morën pjesë 200 djem dhe vajza, nxënës të ciklit 9 vjeçar nga 19 shkolla publike dhe 6 jo publike të rrethit të Durrësit.
Ndeshjet e shahut u zhvilluan në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe u mbikqyrën nga inspektori i shahut pranë QKF-së Harallamb Boshku, Mjeshtër ndërkombëtar i shahut, Lorenc Rama si dhe 3 gjyqtarë nga Federata Shqiptare e Shahut.
Nxënësit pjesëmarrës u ndanë në tre kategori, ku në të parën garuan vogëlushët e klasave të katërta dhe të pesta, në kategorinë e dytë nxënësit e klasave të VI-VII dhe në kategorinë e tretë klasat e VIII-IX.
Në përfundim të ndeshjeve finale u shpallën tre fituesit e vendit të parë për secilën kategori. Për klasat IV-V fitues i vendit të parë u shpall Daniel Nikolla i shkollës “Kushtrimi i lirisë”; për klasat VI-VII fitues u shpall Devid Spiru i “Vinçens Prendushit” dhe për klasat VIII-IX fitues u shpall Algert Kumria i “14 nëntorit”.
Tre vendet e para për secilën kategori
Kategoria e parë (klasat IV-V)
Vendi i parë: Daniel Nurka – “Kushtrimi i lirisë”
Vendi i dytë: Eribert Çerri – “Hajdar Dushi”
Vendi i tretë: Tedi Martopulli – “Turgut Ozal”
Kategoria e dytë (klasat VI-VII)
Vendi i parë: David Spiru – “Vinçens Prendushi”
Vendi i dytë: Anton Kumria – “14 nëntori”
Vendi i tretë: Alket Çaushi – “Njazi Nestori”
Kategoria e tretë (klasa VIII-IX)
Vendi i parë: Algert Kumria – “14 nëntori”
Vendi i dytë: Klevis Totri – “Shkolla e re”
Vendi i tretë: Tedi Zorba “Nënë Tereza”