Mbi 50 tablo të realizuara nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit u ekspozuan sot në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në kuadër të përgatitjeve për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Piktura fituese e çmimit të parë do të jetë pjesë e ekspozitës që do të hapet në Prishtinë me punime të nxënësve më të talentuar nga e gjithë Shqipëria, që u bënë pjesë e këtij konkursi.
“Kjo ekspozitë vjen si një veprimtari që përfshin të gjitha institucionet arsimore të Durrësit. Punimi më i mirë që do të dalë prej kësaj ekspozite do të niset drejt Prishtinës. Ky punim do të jetë pjesë e veprimtarive të mëdha që do të mbahen atje, si psh një ekspozitë me punime të nxënësve nga të gjitha zyrat vendore të Shqipërisë”,– tha Genciana Çako nga ZVA Durrës.
Fituese e çmimit të parë u shpall nxënësja e shkollës së mesme “Naim Frashëri, Enxhi Kamxhiu.
“Unë jam nga ato piktore që kur ulem nuk ngrihem pa e mbaruar punimin. Më janë dashur diku tek 18-20 orë për ta përfunduar tablonë. Unë frekuentoj gjimnazin e përgjithshëm, por pikturën e kam pasionin tim dhe e konsideroj si një profesion të dytë që do të më shoqërojë gjithë jetën”,- tha ajo për “DurrësLajm”.
Drejtori i QKF Durrës, Avni Çuni, vlerësoi angazhimin maksimal të treguar nga të gjithë nxënësit pjesëmarrës.
“Jeni të gjithë të talentuar në pikturë, e doni dhe e dashuroni atë. Shumë urime dhe suksese në këtë pasion tuajin”,- tha Çuni.
M.B.