Britmat e gëzimit dhe duartrokitjet ishin kurorëzimi më i bukur për të gjithë koristët e shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i lirisë”, që fituan kupën e edicionit të dhjetë të Festivalit të Këngëve Korale, të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës.

Finalja e këtij kompeticioni rezervoi momente plot emocione, kur 15 shkollat pjesëmarrëse interpretuan edhe njëherë përpara jurisë profesioniste repertorin e përzgjedhur me mjaft kujdes për të realizuar një performancë sa më mbresëlënëse.

Festivali i Këngëve Korale u organizua në prag të 14 nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit.

Himni kombëtar, u interpretua nga të gjithë fëmijët pjesëmarrës në nisje të finales së madhe, siç është kthyer tashmë në traditë të bukur të këtij aktiviteti të përvitshëm.

Përveç shkollës së ngriti lart kupën e Festivalit, juria vlerësoi me çmim të parë shkollën “Migjeni” si dhe shpërndau 2 çmime të dyta dhe 3 çmime të treta, si dhe çmimin “Performanca më e mirë skenike”.

Kupa e festivalit: “Kushtrimi i lirisë”

Vendi i parë: “Migjeni”

Vendi i dytë: “Bedrie Bebeziqi”

Vendi i dytë: “Mihal Ekonomi”

Vendi i tretë: “Jusuf Puka”

Vendi i tretë”: “Eneida”

Vendi i tretë: “Vinçens Prendushi”

Paraqitja më e mirë skenike: “Vasil Ziu”

M.B.