·       Linja e dedikuar në zonën e Adriatikut, Fushë Milotit dhe Durrësit, investim me vlerë 37.6 milion euro përfundon brenda një viti

·       Kapaciteti prej 630 litra në sekondë, kështu do të trefishohet vëllimi i ujit që furnizon qytetin bregdetar

27 korrik 2015–  Teksa Durrësi, në këto ditë të nxehta të verës po përjeton probleme të mëdha me furnizimin me ujë të pijshëm, vjen një lajm i mirë, “freskues”: më 27 korrik 2015, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës shpalli kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme pronë private. Janë toka bujqësore që preken si rezultat i realizimit të projektit të ndërtimit të linjës së re të ujësjellësit të Durrësit, në zonën e Adriatikut, Fushë-Milotit dhe Durrësit. Pronarët dhe personat e tretë, brenda 15 ditëve nga plotësimi i këtij afati për publikim, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre lidhur me çmimin, sipërfaqen titullin e pronësisë, apo llojin e pasurisë që kanë në pronësi, të shoqëruara me dokumentet përkatëse në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës) vetëm për pasurinë e llojit, tokë bujqësore. Vlera totale e shpronësimit është 1 312 500 lekë.

Info

Punimet për zbatimin e projektit të ujësjellësit të ri të Durrësit fillojnë në shtator 2015, thanë burime zyrtare. Nëpërmjet këtij projekti, zbatimi i punimeve të cilit do të zgjasë një vit, do të trefishohet vëllimi i ujit që furnizon Durrësin, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë të pijshëm të gjithë territorit të Bashkisë së re. Ndërtimi i linjës së dedikuar të ujësjellësit nga Fushë Kuqja deri në Durrës bashkë me puset dhe stacionet e pompimit, është një investim me vlerë 37.6 milion euro. Financimi i linjës së re të furnizimit nga Fushë-Miloti, përfshin një stacion të ri pompimi. Linja do të jetë me një kapacitet prej 630 litra në sekondë, ndërsa linja ekzistuese do të përdoret edhe për fshatrat përgjatë linjës. Linja e re do të bëjë që të  trefishohet sasia e ujit që do furnizojë Durrësin duke përmirësuar dukshëm shërbimin e furnizimit të qytetit dhe zonës se plazhit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/