Krevatë, batanije, ushqime dhe veshmbathje për familjet e dëmtuara nga tërmeti në njësitë administrative të bashkisë Durrës.
100 familje nga Ishmi, Katundi i Ri, Manza, Rrashbulli dhe Sukthi përfituan nga ndihmat e dhëna nga shoqata Qatar Charity Albania dhe ambasada e Katarit në vendin tonë.
Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në palestrën e shkollës në Shënavlash ishin të pranishëm edhe kryebashkiakja Valbona Sako dhe nënkryetari i bashkisë Florian Tahiri.
Nënkryetari Tahiri bën të ditur se çdo familje përfituese mori një pako me ushqime rreth 50 kg si dhe veshje dhe batanije për të përballuar stinën e dimrit që po afron.
Nënkryetari nënvizon se ndihma e shoqatës bamirëse dhe ambasadës së Katarit u prit me falenderime nga banorët e njësive administrative, të cilët vuajnë ende pasojat e tërmetit të 21 shtatorit.
Vlen të theksohet se shumë nga banesat e shpallura të pabanueshme në bashkinë e Durrësit i përkasin njësive administrative, veçanërisht Sukthit, Manzës, Rrashbullit etj.
Ndërkohë, autoritetet vendore janë në pritje të udhëzimeve që do të vijnë nga Këshilli i Ministrave lidhur me riparimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga tërmeti 5.8 ballë i pasdites së 21 shtatorit.
Deri më tani bashkia e Durrësit ka akorduar një fond prej 100 milionë lekësh, kurse bashkia e Tiranës dhuroi 200 milionë lekë.
M.B.





