· Atentati me telekomandë ndodhi në një nga zonat më të sigurta të Durrësit, sikurse është porti detar, që ka një Forcë Sigurie, një Polici Kufitare dhe Migracioni, një Doganë, Kapitaneri, kurse SHISH-i ndodhet 150 metra larg
· Nëse dikush kishte ndërmend “të hiqte qafe” drejtorin e burgut të Fushë-Krujës, thjesht nuk do të përdorte aq pak lëndë plasëse sa ta dëmtonte lehtë “Opel”-in
· Qarqe diplomatike, mbështetur dhe në të dhëna të shërbimeve të huaja inteligjente, sugjerojnë se mund të ketë një stimulim artificial të akteve kriminale, thjesht për të destabilizuar vendin dhe rajonin e Ballkanit
DURRËS, 19 janar 2015 – Ditën e parë të javës, në një mëngjes sterrë të zi për shkak të shiut, banorët e rrugës “Skënderbej” të qytetit të Durrësit janë tronditur nga një shpërthim i frikshëm.
Drejtoria e policisë së qarkut Durrës njofton se të hënën, më 19 janar 2015, rreth orës 7.45 paradite, në rrugën e portit të Durrësit, në dalje të hyrjes nr. 1 dhe në drejtim të hyrjes për në portën nr. 4, ka ndodhur një shpërthim lënde plasëse në “Opel”-in me targa AA654AC. Në timon ka qenë drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Fushë-Krujës, Arben Sula, i cili, për të shmangur trafikun e rënduar, zgjodhi nga lagja nr, 1 ku banon, rrugën e portit për të shkuar në zyrë. Sula u lëndua dhe mori plagë.
Punonjësit e Forcës së Sigurisë së Autoritetit Portual Durrës (APD) e kanë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit për të marrë mjekimet e duhura, pastaj u çua për trajtim mjekësor më të specializuar në spitalin e traumës në kryeqytet. Të afërmit e të plagosurit kanë thënë se 40-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Sula ka marrë dëmtime në këmbë.
Pavarësisht se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, dëmtimet e marra nga shpërthimi brenda automjetet me të cilin udhëtonte janë të rënda. Zëvendësdrejtori i spitalit të Traumës, Arben Zeneli, tregon se gjendja e Sulos është e stabilizuar, por duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“U bë vlerësim i dytë nga ana e ekipit të mjekëve që ka spitali ynë, aktualisht po përgatitet për të kryer një operacion për të pasur në kontroll gjendjen e tij në ditët që vijnë. Kemi parametrat jetësorë të tij të mbajtur mirë, janë disa dëmtime që do të vlerësohen edhe në ditët në vijim për të reaguar në bazë të problemeve që mund të shfaqen”, u shpreh Arben Zeneli.
ANALIZA
Të shtunën, më 17 janar 2015, në orën 10:00, në Shkallnur të Rrashbullit, është hedhur në erë, me telekomandë, në lëvizje e sipër, një “Benz E 270 CDI”, ku u plagos drejtuesi i mjetit. Të dielën, më 18 janar 2015, rreth orës 17.33 në sektorin Hekurudha të Plazhit, ka shpërthyer një “Volvo”, pronari i së cilës ndodhej në Londër. Të hënën, më 19 janar 2015, qysh në orët e para të mëngjesit, ndodh i treti atentat ndaj një personi, bash në një nga zonat më të sigurta të Durrësit, sikurse është porti detar që ka një Forcë Sigurie, një Polici Kufitare dhe Migracioni, një Doganë, Kapitaneri, kurse drejtoria rajonale e SHISH-it i ka zyra 150 metra larg.
Tre shpërthime me lëndë plasëse ndaj makinave në tri ditë, në qytetin e Durrësit, rastësi apo strategji për të krijuar atmosferë frike dhe destabilizimi? Medie të ndryshme ka hedhur hamendjet se në rastin e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës mund të kemi një hakmarrje për shkak të detyrës, pistë që duhet përfillur. Sipas statistikave zyrtare, që ka siguruar portali “durreslajm.com”, deri më 31 dhjetor 2014, në burgun e Fushë-Krujës ndodheshin 320 të dënuar me vendim gjykate. Sipas lloji të veprave penale janë 107 për vjedhje, 102 për vrasje, 16 për plagosje, 4 për marrëdhënie seksuale me dhunë, 36 për drogë, 8 për mashtrim, 11 për shfrytëzim prostitucioni, 10 për organizata kriminale dhe 26 për vepra të ndryshme penale. Nisur nga kohëzgjatja e dënimit, në IEVP-në e Fushë-Krujës janë 37 të dënuar me burgim të përjetshëm, 79 me 20-25 vjet, 102 me 5-15 vjet, 51 me 2-5 vjet, 10 me më pak se 2 vjet dhe 10 me më pak se një vit. Gjithsesi, të burgosurit inatin mund ta kenë me ata që i dënuan se sa me kryegardianin e tyre. Nuk përjashtohet as pista e ndonjë konflikti personal.
“durreslajm.com” ka mësuar se qarqe diplomatike, mbështetur dhe në të dhëna të shërbimeve të huaja inteligjente, sugjerojnë se mund të ketë një stimulim artificial të akteve kriminale, thjesht për të destabilizuar vendin dhe rajonin e Ballkanit. Nëse dikush kishte ndërmend “të hiqte qafe” drejtorin e burgut të Fushë-Krujës, thjesht nuk do të përdorte aq pak lëndë plasëse sa ta dëmtonte lehtë “Opel”-in. Po ashtu organizma ndërkombëtarë që asistojnë Shqipërinë në rritjen e sigurisë në vend, tërheqin vëmendjen dhe për faktin se ngjarja ka ndodhur në territorin e portit, ku preusupozohet top-security.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





