DURRES, 15 MARS 2013 – Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar sot rreth orës 13.10 minuta në afërsi të Urës së Dajlanit. Famirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme materiele, megjithëse lënda plasëse ka shpërthyer vetëm 1m larg një automjeti që po lëvizte në aksin kryesor të lagjes nr. 14.
Sipas policisë së Durrësit lënda plasëse, që dyshohet të jetë dinamit, ka shpërthyer shumë pranë automjetit tip Range Rover, me targa AA 474 AA, e shtetasit Vilson Traga, vëllai i Ardian Tragës, i arrestuar si autor i një vrasje në muajin korrik të vitit 2012.
Objektivi i këtij sulmi me lëndë plasëse, Vilson Traga, ka deklaruar se dinamiti ishte vendosur në mjet dhe në momentin që makina ka hasur në një gropë gjatë rrugës ka rënë dhe për pasojë ka shpërthyer vetëm një metër larg Range Rover-it me të cilin po udhëtonin dy persona. Traga dyshon se dikush mund ta ketë ndjekur e më pas ka vendosur eksplozivin në makinën e tij. Mendohet se lënda plasëse është prodhim artizanal dhe bëhet fjalë pë një shpërthim të telekomanduar.
Policia e Durrësit njofton se është ngritur grupi hetimor që po merret me këtë rast dhe në orët në vijim pritet të jepen më shumë hollësi lidhur me këtë ngjarje.
Pak ditë më parë Policia e Durrësit arrestoi shtetasin Leonard Tragaj, kushëriri i Vilsonit, i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në një vrasje të dyfishtë, të ndodhur vitin e kaluar në Golem.
33-vjeçari dyshohet se bashkë me vëllain e tij, piktorin Ardian Tragaj, i cili është vetëdorëzuar në polici, janë autorë të vrasjes së Sulejman Shehit dhe Durim Pashalliut mesditën e datës 25 korrik 2012.
(VIJON)





