· Ministria e Mbrojtjes: Një Boeing civil që kalonte mbi qytetin bregtar në drejtim Evropë-Afrikë humbi për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror
· NATO-ja ngriti një çift avionësh luftarakë F-16, që shoqëruan për 10 minuta avionin, deri në 8 milje në jug të kufirit shqiptar me Greqinë
· Avionët F-16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare, rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor, kanë krijuar zhurmën e tmerrshme
DURRËS, 9 tetor 2014 – Dy shpërthimet e fuqishme që u dëgjuan të enjten, më 9 tetor 2014, rreth orës 16:00, në Currila dhe që shkaktuan alarm dhe panik dhe në zona të tjera të qytetit bregdetar, nuk vinin nga tritoli e dinamiti, por ishin zhurmat e një Boeing-u civil dhe dy avionëve luftarakë.
Kjo zhurmë e tmerrshme krijoi atë që në terminologjinë e aviacionit quhet “bum zanor” (sonic boom), kështu reagoi Ministria e Mbrojtjes që u detyrua të bëjë një sqarim publik.
Deklarata
Një avion Boeing komercial [civil, tregtar], i cili udhëtonte nga një kryeqytet evropian në drejtim të kontinentit afrikan humbi për disa momente kontaktin me qendrat e kontrollit ajror.
Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, vendet fqinje anëtare të NATO bëjnë policimin ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Mospërgjigja e këtij avioni, kur ai ndodhej në afërsi të hapësirës ajrore shqiptare, vuri në gatishmëri një ndër bazat NATO, prej së cilës u ngrit në ndjekje një çift avionësh luftarakë F-16.
Avionët luftarakë eskortuan [shoqëruan] për 10 minuta avionin në fjalë, deri në 8 milje në jug të kufirit shqiptar me Greqinë.
Avionët F-16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare, rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor, kanë krijuar “boom”-in sonik [zanor] të konsideruar nga banorët si shpërthim.
I sigurojmë qytetarët shqiptarë se kjo është një procedurë e ndjekur me përgjegjësi të lartë nga autoritetet shqiptare dhe forcat e Aleancës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





