DURRËS, 13 janar 2015 – Shpëtim Luzi, 47-vjeç, nga Durrësi, deklaroi, më 13 janar 2015, për News 24, se policia e ka shoqëruar në komisariat pa asnjë arsye. Më pas e kanë dhunuar duke i shkaktuar thyerje në këmbë.
“Policia më shoqëroi para dy ditësh pa asnjë arsye. Isha duke pirë kafe e raki pranë tregut, ata më morën në polici dhe më ushtruan dhunë”, rrëfen 47-vjeçari.
Sipas tij, “Më thyen një këmbë në tre vende, më goditën me shufër hekuri. Pastaj më lanë gjithë natën në dhomat e shoqërimit”.
Po më 13 janar 2015, në një njoftim për shtyp, policia e qarkut Durrës përgënjeshtron pretendimet e shtetasit Shpëtim Luzi për dhunim të tij nga shërbimet e policisë.
Më 11 janar 2015, ora 19.20, në numrin operativ 129 të sallës së koordinimit të drejtorisë së policisë së qarkut Durrës, është telefonuar nga një qytetar, i cili ka kërkuar ndihmën e policisë për një konflikt në një lokal në lagjen nr. 17 Durrës, pranë ish-Degës Ushtarake.
Pas njoftimit të ardhur nga qytetari, shërbimet e patrullës së përgjithshme të komisariatit të policisë Durrës kanë shkuar në vend dhe kanë konstatuar tre qytetarë, të cilët po debatonin dhe konfliktoheshin me njëri tjetrin, brenda ambienteve të lokalit në gjendje të dehur.
Njëri prej personave është identifikuar si telefonuesi në sallën e koordinimit, me inicialet A. M., personi tjetër me inicialet J. Gj. dhe personi i trete nuk është mundur të identifikohet në vend, pasi ishte në gjendje tepër të dehur, kryente veprime të pakontrolluara, ishte i pamundur të qëndronte në këmbë, si edhe nuk kishte dokument identifikimi me vete.
Të dy personat e identifikuar janë shoqëruar për në ambientet e komisariatit të policisë Durrës, ndërsa personi i tretë i paidentifikuar, i ndodhur në gjendje tepër të dehur, është dërguar nga shërbimet e policisë në spitalin rajonal Durrës për t’u mjekuar, pasi nuk ishte i vetëdijshëm për veprimet dhe i pamundur të qëndronte në këmbë. Në spital ka qëndruar deri në orën 21.00, ende i paidentifikuar, më pas është shoqëruar për në ambientet e komisariatit të policisë Durrës.
Nga verifikimi dhe pyetja e personave ka rezultuar se shtetasi me inicialet A. M. ka pretenduar se personi i paidentifikuar, i ka rrëmbyer vajzën në vitin 2013, dhe për këtë shkak më pas ka kërkuar për ta kallëzuar në polici.
Në orët e para të mëngjesit të datës 12.01.2015, pasi personi u vetëndërgjësua, u bë i mundur identifikimi i tij si shtetasi Shpëtim Sherif Luzi alias: Abazaj, i moshës 47 vjeç dhe në këtë kohë është ankuar për shqetësime në këmbë.
Menjëherë është dërguar në urgjencën e spitalit Durrës për kontroll dhe mjekim ku ka rezultuar se ka pasur të dëmtuar njërën prej këmbëve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





