·        Korrupsioni pasiv / Gjykata e faktit jep vendimet për rastin e shantazhit ndaj kompanisë kineze “Dawa International Trade” shpk në Xhafzotaj

DURRËS, 17 janar 2015–  Mesditën e së premtes, më 16 janar 2015, “togat e zeza” kanë shpallur të pafajshëm ish-kreun rajonal të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Durrës, Genc Balla, i akuzuar për korrupsion pasiv. Balla u arrestua në flagrancë së bashku me inspektorin Eduart Bejko, duke ndarë paratë që i kishin marrë administratorit kinez të një kompanie që operonte në Xhafzotaj. Por inspektori Bejko, ndryshe nga eprori i tij, është shpallur fajtor dhe u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim, kurse Dorinë Nikollws, ekonomiste në firmën kineze, iu dhanë 7 muaj burgim, por që do të kalojë në shërbim prove.

Prokuroria do të dorëzojë ankimin pranë Gjykatës se Apelit Durrës, pasi vendimi i trupit gjykues konsiderohet i pabazuar në ligj dhe në prova. Akuza pret zbardhjen e vendimit. Më 18 dhjetor 2014, Prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës ka kërkuar nga togat e zeza dënimin me nga 4 vjet e gjysmë burgim për dy ish-punonjës të Inspektoratit rajonal Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Durrës, të akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Sipas prokurorisë, të tre pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, duke pranuar fajësinë. Akuza provoi se Genc Balla, ish-kreu rajonal i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Durrës; Eduart Bejko, 45 vjeç, banues në Sukth Durrës, inspektor, i merrnin një sasi të konsiderueshme parash administratorit të kompanisë kineze “Dawa International Trade” shpk në Xhafzotaj z. Xi Wang. Në , vepra penale kishte të bënte me shantazhin në kërkim të parave, si “rroga” mujore shtesë, në këmbim të mosvënies së gjobave, për gjoja parregullsi në ushtrimin e aktivitetit të tij. Prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim, me kusht, për Dorinë Nikollën, e akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”, ekonomiste në firmën kineze, personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/