DURRES, 3 prill 2013 – Në qytetin e Durrësit shumë lagje apo zona periferike vuajnë mungesën e investimeve në infrastrukturë, pasojat e së cilës i vuajnë qytetarët.
Një shembull i tillë ështe rruga "Shpresa" në lagjen nr. 8, në të cilën prej vitesh nuk është investuar për shtrimin e saj me asfalt.
Rruga në fjalë ndodhet vetëm pak metra larg spitalit të Durrësit dhe ka një gjatësi prej rreth 1 km.
Një ditë më parë gazetarja e Agjensisë së Lajmeve "Dyrrah" ishte në këtë rrugë për të parë nga afër gjendjen e saj.
Fotot e dëshmojnë më së miri situatën e rëndë të krijuar aty, për më tepër që në kohë me shi aksi bëhet gati gati i pakalueshëm.
Përgjatë gjithë këtij aksi përveç asfaltit, mungojnë trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi.
Banorët e kësaj lagjeje i kërkojnë bashkisë të vërë dorë për rehabilitimin e rrugës.
Sipas tyre është i patolerueshëm indiferentizmi që tregohet, për më tepër që në të gjitha fushatat elektorale është premtuar rikonstruksioni i saj.
Si për ironi të fatit rruga mban emrin “Shpresa”, e vetmja që u ka mbetur ende banorëve.
Në bashkinë e Durrësit mësojmë se aktualisht nuk ka fonde për rehabilitimin e rrugës, por ky aks do të jetë pjesë e investimeve që do të përfshihen në buxhetin e këtij viti.
/e.a. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





