•        Në gatishmëri hidrovoret e Durrësit e Hamallajt, si dhe të tre ekskavatorë

DURRËS, 27 nëntor 2014 –  Nën drejtimin e Prefektit të qarkut Durrës-Krujë Rolant Xhelilaj u mblodh, të enjten, më 27 nëntor 2014, shtabi i emergjencës civile me pjesëmarrjen e kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore dhe drejtuesve të institucioneve e ndërmarrjeve kryesore të qarkut.

REFERUAR 18 NËNTORIT 2014

Në takim u paraqit situata e pritshme me reshje të konsiderueshme për periudhën 28-30 nëntor 2014, data që përkojnë me ditë festash e pushimi. Fillimisht u bë një analizë e shkurtër e situatës emergjente të krijuar në qarkun e Durrësit, më 18 nëntor 2014, si referim për problemet aktuale me reshje dhe reagimit të strukturave përkatëse.

RAPORTIMET

Pas ngritjes të problemeve që shqetësonin disa njësi vendore, drejtuesit e Bordit të Kullimit, raportuan mbi situatën e veprave kulluese dhe të rezervuarëve e digave, duke nënvizuar gatishmërinë e plotë të hidrovoreve të Durrësit e Hamallajt, si dhe të tre ekskavatorëve. Spitali Rajonal Durrës, Rezervat e Shtetit e drejtues të tjerë raportuan mbi kapacitetet e tyre për përballimin e situatave të ndryshme emergjente.

PREFEKTI

Prefekti Xhelilaj kërkoi nga të pranishmit rritjen e shkallës së gatishmërisë, veçanërisht për këto ditë festash, duke mobilizuar të gjithë personelin e ngarkuar në skemat përkatëse të emergjencës civile; kontakte të vazhdueshme me institucionin e Prefektit dhe informim për çdo situatë të rënduar; rritjen e bashkëveprimit ndërmjet ndërmarrjeve dhe institucioneve.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/