Durrës, 3 qershor 2014 – Plot 5 vjedhje janë denoncuar nga banorë të qytetit dhe rrethit të Durrësit në 24 orët e fundit. Fenomeni i vjedhjes së shtëpive dhe automjeteve është duke u rritur ndjeshëm muajt e fundit, ndërkohë numri i veprave penale të zbardhura është shumë i ulët.

Dy shtëpi janë vjedhur nga hajdutët në Durrës dhe sektor Rinia gjatë natës. Janë këto orët më të përshtatshme nga hajdutët për të vënë në jetë planet e tyre.

Nga shtëpia e një 51 vjeçareje nga Durrësi ata kanë marrë një televizor plazma 38 polësh si dhe sende artistike. Ndërsa në shtëpinë e 52 vjeçarit V.S. nga sektori Rinia kanë marrë orendi të ndryshme shtëpiake.

Pas një automjeti tip Benz të vjedhur në fundjavë, hajdutët kanë realizuar një tjetër vjedhje. Shtetasi I.C., 54 vjeç, banues ne Durrës, ka deklaruar në polici se gjatë natës, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur mjetin Benz 240 me targa AA716FX, të cilin e kishte parkuar pranë banesës.

Ndërsa 23 vjeçarit E.Ç. hajdutët i kanë thyer xhamin e derës së pasme të mjetit tip Benz, me targa AA212BK, kanë hyrë në automjet dhe kanë marrë me vete kasetofonin e makinës.

Preja e fundit e hajdutëve në 24 orët e fundit kanë qenë dy krerë bagëti (një lopë dhe një viç), që i janë grabitur 21 vjeçarit T.D., nga Shkallnuri.

Për të gjitha këto raste policia ka nisur hetimet për të zbuluar hajdutët, por efektivët e rendit duken të pafuqishëm për të ndalur rastet e shumta të vjedhjeve të konstatuara çdo ditë si dhe për të vënë para përgjegjësisë penale autorët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/