DURRËS, 24 maj 2013– Gjykata e Durrësit ka shtyrë dhënies e masës së sigurisë së 22 vjeçarit Taulant Gjini, i akuzuar për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim të 27 vjecarit Refik Lila, ngjarje e ndodhur në lagjen numër 18 Durrës më 24 prill të këtij viti.
Shkak për shtyrjen e masës nga trupi gjykues i kryesuar nga Shpëtime Pitaku, u bë mosprania e avokatit mbrojtës të të pandehurit Gjini, Flamur Gjuzi, pasi ky i fundit më herët kishte paraqitur një kërkesë pranë trupit gjykues mbi mungesën e tij.
Në mungesë të avokatit i pandehuri Gjini, i cili akuzohet nga prokuroria për "Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim", kërkoi që seanca e masës së sigurisë të mbahej në prani të avokatit të zgjedhur nga ana e tij. Prokurori i çështjes i pyetur nga trupi gjykues, vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurit për shtyrjen e seancës.
Gjyqtarja Shpëtime Pitaku, pasi dëgjoi palët vendosi që seancën ta shtyjë për ditën e nesërme në orën 09:00, nisur dhe nga fakti që afatet kohore të dhënies së masës së sigurisë prej 48 orësh nuk janë tejkaluar. Të pranishëm në sallë nuk ishtë asnjë nga familjarët e të pandehurit, ashtu sikurse të viktimës.
Arrestimi
Taulant Gjini, 22 vjec, lindur e banues ne lagjen 18 Durres, është personi i dytë i arrestuar, pas Ardit Hyskës, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim nga policia e Durrësit.
Ai akuzohet si autor në vrasjen e Refik Lilës 27 vjec, ngjarje e ndodhur në lagjen numër 18 Durrës më datë 24 prill të këtij viti. Prokuroria e Rrethit Durrës, ka urdhëruar ndalimin e 22-vjeçarit pas një hetimi disa javor në drejtim të zbardhjes së vrasjes së 27 vjecarit Lila.
Në prokurorinë e Durrësit mësojmë se 22 vjeçari Taulant Gjini në bashkëpunim me 28 vjeçarin Ardit Hyska kanë vrarë më armë zjarri 27 vjeçarin Refik Lila, pas një konflikti që këta të fundit kanë pasur me njëri tjetrin.
Ndërsa po nga organi i akuzës mësohet se ka prova të mjaftueshme dhe dëshmitarë për të implikojnë dy të rinjtë tashmë të arrestuar, në vrasjen e Refik Lilës. Arrestimi i autorit të parë të dyshuar Ardit Hyska u bë nga policia e Durrësit vetëm pak orë pas vrasjes, ndërsa bashkëpunëtori i tij 22 vjeçari Gjini u arrestua pasditen e të mërkurës nga policia e Durrësit nën të njëjtën akuzë.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





