Nga Gëzim Kabashi
Një nga mësuesit e hershëm të qytetit të Durrësit, autor i disa librave për fëmijë, Bedri Rama, ka ndërruar jetë këto ditë në moshën 97-vjeçare.
Megjithëse jetonte prej vitesh në kryeqytet, durrsakët e kujtonin me nderim e respekt figurën e mësuesit që po i drejtohej jetës shekullore.
Në fund të vitit të kaluar organizatorët e Festivalit të këngës për fëmijë “Tingujt e Adriatikut” në Durrës e nderuan autorin Bedri Rama me titullin “Miku i Fëmijëve”, duke kujtuar njëkohësisht këngën “Dhurata” me tekstin fitues të shkruar prej tij që në festivalin e parë të këngës për fëmijë.
“Ishte një Dhuratë mjaft e bukur në prag të ditëlindjes së tij të 97-të, të cilën ai e festoi para dy javësh, më 11 janar të këtij viti – shprehen familjarët e zotit Bedri Rama.
Ishte epilogu i një jete të përkushtuar gjuhës e letërsisë, por mbi të gjitha kushtuar nxënësve të shumtë që u ulën në bankat e mjaft shkollave ku pedagogu Bedri Rama dha mësim.
Ai ishte një nga kuadrot e parë që përfunduan me rezultate të shkëlqyera Institutin Pedagogjik të Tiranës.
Fillimisht në Peshkopi, ku e emëruan si mësues dhe më pas në gjimnazin e vetëm të Durrësit, (shkolla e mesme “16 Shtatori”), Bedri Rama u bë “profesori që fitoi autoritet dhe repekt në të gjithë nxënësit e tij, falë kulturës së gjerë që zotëronte, falë edukatës dhe fisnikërisë së tij”.
Karakter dashamirës, mjaft i qetë, dhe me një bagazh që e plotësonin tre gjuhët e huaja që zotëronte, si dhe librat e shumtë me të cilat konsultohej vazhdimisht, emri i mirë i profesor Bedriut përsëritej në vite nga kolegët dhe nxënësit e shumtë, që u bënë specialistë në fusha të ndryshme.
Bedri Rama u bë mjaft i njohur për lexuesit edhe për botimin e disa librave për fëmijë, me poezi, gje gjeza dhe fabula, ndër të cilët u vlerësua vëllimi poeik “Gabimi i Lornës”.
Publikimet për fëmijë e pasuruan CV e tij me një përmasë të re letrare.
Profesor Bedri Rama vlerësohet për cilësitë e tij njerëzore, e po ashtu do të kujtohet si mësuesi që me fisnikërinë dhe dinjitetin e tij fitoi dashurinë e qindra nxënësve.