DURRËS, 30 gusht 2013 – Si rrallëherë porti i Durrësit ka pasur paralelisht 6 anije në përpunim në kalata, 4 të tjera në radë dhe tre që priten të vijnë brenda dy ditësh (shih tabelën). Sipas përditësimit të orës 14:05 të datës 30 gusht 2013 të bërë nga dispeçeria e Autoritetit Portual, në kalatat nr. 1 dhe 5/A kompania stivadore Egnatia 1shkarkonte njëkohësisht dy anije me grurë rus, Volgo Balt 220 me 3 071 tonë dheMermaid me 2 015 tonë. E para kishte filluar shkarkimin qysh më 29 gusht, pasi ishte bregëzuar ora 11:00 dhe e dyta më 30 gusht, bregëzuar ora 12:15. Ndërkaq ishin dy anije me çimento. Njëra, CPT Ahmad II, shkarkon 4 010 tonë çimento importi me thasë në kalatën 2, pasi është bregëzuar më 30 gusht 2013, ora 11:10 dhe tjetra,Demetrios B, që ngarkon për eksport 5 100 tonë rinfuzo në kalatën 10 të terminalit lindor dhe që është bregëzuar më 29 gusht ora 6:50 të mëngjesit. Meqë ra fjala, në radë pret anija Princess Maria që do të ngarkojë 5700 tonë çimento të paketuar për eksport; por që ka mbërritur qysh më 15 gusht 2013, ora 9:30. Po shkarkohet në kalatën 7 anija Makbule Ana me 1 700 tonë hekur rrotativ për llogari të kompanisë turke detare-metalurgjike Durrës-Kurum, kurse në terminalin e kontejnerëve tëDurrës-Kurum po shkarkohen 178 copë kontejnerë nga anija e linjës Medazov Victoria. Në radë presin edhe anijet Langenes, e mbërritur më 25 gusht ora 22:00 për të ngarkuar 4 500 tonë krom për eksport në terminalin lindor (kalata 11); si dhe dy anije për shkarkim kontejnerësh, Vega Aquila me 75 copë dhe Fesco Askold me 335 copë, që kanë mbërritur përkatësisht më 29 gusht ora 11:00 dhe 28 gusht ora 20:00. Më 1 shtator parashikohen të vijnë anija Medontario me 235 copë kontejnerë për shkarkim dhe anija ruse 40 Let Pobedy me 3 138 tonë grurë rus, më 3 shtator pritet të vijë anija e madhe Maria K me 10 267 tonë qymyr.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





