DURRES – Jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe punonjësit e policisë bien pre e grabistëve. Një efektiv policie i komisariatit të policisë së Durrësit është bërë viktima e rradhës e sulmeve të dhunshme të hajdutëve. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe viktimë e dhunës ka mbetur oficeri i krimeve, Kujtim Vreka, 50 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. Ai ka pësuar frakturë të rëndë në fytyrë, pasi është goditur me mjete të forta nga njëri prej grabistësve.

Ngjarja

Ka qenë ora 03.30 e mëngjesit të sotëm, kur oficeri i krimeve, Kujtim Vreka, po kthehej në banesën e tij, në lagjen nr.14. Ndërsa afrohej pranë banesës, ai ka parë dy persona që po grabisnin në dyqanin që Vreka kishte pranë shtëpisë së tij. Pas thirrjes së tij për të ndaluar, dy të rinjtë, që mendohet të jenë adoleshentë, kanë tentuar të largohen me vrap. Njëri prej tyre ka hedhur çantën me produktet e vjedhura dhe është larguar, ndërsa tjetri është konfrontuar me oficerin e krimeve. Në përleshje e sipër grabitësi e ka qëlluar 50 vjeçarin Vreka me mjete të forta duke i shkaktuar një frakturë të rëndë në hundë. Në pamundësi për t’i kapur grabitësit dhe i mbuluar nga gjaku, efektivi i rendit ka njoftuar sallën operative, ndërkohë që pas mbërritjes së kolegëve të tij në vendngjarje ai është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit. Pasi ka marrë ndihmën e parë në spital, Vreka është shoqëruar për në repartin e Traumatologjisë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mjekët bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e Vrekës është normalizuar, ndërkohë që problem mbetet fraktura e rëndë në fytyrë.

Oficeri i krimeve Kujtim Vreka është pjesë e forcave të policisë prej 20 vitesh. Ai ka shërbyer më parë pranë komisariatit të Tepelenës dhe Elbasanit, ndërkohë që prej disa vitesh punon si hetues pranë policisë gjyqësore të rrethit të Durrësit.

Hetimet

Pas shoqërimit të Vrekës në spital, grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka mbledhur provat e para materiale si dhe ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Policia po heton ende për identifikimin dhe ndalimin e dy grabistësve të përfshirë në këtë ngjarje. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se ende nuk është bërë i mundur identifikimi i dy hajdutëve, por, sipas deklaratës së dhënë nga vetë oficeri i krimeve që mbeti i plagosur në vendngjarje, dyshohet se bëhet fjalë për adoleshentë.

Sulmi ndaj Vrekës vjen vetëm pak ditë pasi dy efektivë të policisë së Kavajës mbetën të plagosur në ambientet e një lokali në zonën e plazhit të Durrësit, pas përleshjes me personelin e diskos.