DURRES – Mesditën e sotme qyteti i Durrësit u trondit nga vrasja e një kambisti në zonën e Plazhit. 46 vjeçar, Fatmir Kortarja, u qëllua me armë zjarri nga dy persona të maskuar të cilët tentuan t’i grabisnin sasinë e parave që ai kishte me vete. Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13.15 në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar, në sektorin Iliria.
Ngjarja
Dy vëllezërit Kotarja ishin duke u kthyer në shtëpinë e tyre në afërsi të një karburanti në zonën e plazhit kur janë sulmuar nga dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallanikov. Ndërsa Haxhiu, njëri nga vëllezërit ka zbritur nga makina për të hapur derën e shtëpisë, dy grabitësit, që me sa duket i dinin mjaft mirë lëvizjet e kambistëse kanë sulmuar Fatmir Kotaren dhe kanë tentuar t’i grabisin çantën ku ai mbante lekët e pikës së këmbimit valutor, që kishte në pronësi së bashku me të vëllanë.
46 vjeçari Kortarja ka bërë rezistencë e në këtë moment njëri nga hajdutët e ka qëlluar në këmbë me armë zjarri. Më pas dy grabistësit janë larguar së bashku me paratë me një motor që e kishin lënë pranë një pike karburanti, në afërsi të vilës së viktimës.
Menjëherë pas ngjarjes 46 vjeçari është shoqëruar për në spitalin e Durrësit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbërrijë atje i gjallë, pasi sipas mjekëve nga tronditja e madhe ai ka pësuar infakt, e për pasojë ka humbur jetën gjatë transportimit drejt spitalit rajonal.
Hetimet
Menjëherë pasi ka marrë njoftim për ngjarjen e rëndë policia e Durrësit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur veprimet e para hetimore. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy personat e maskuar i kishin ngritur pritë vëllezërve Kotarja dhe i kanë sulmuar në momentin para se të futeshin në vilën e tyre dy katëshe. Policia mendon se grabitësit janë persona që kanë pasur dijeni për aktivitetin privat të dy vëllezërve dhe itinerarin që ata ndiqnin para se të futeshin në shtëpi, e për këtë arsye i kanë ngritur pritë, pikërisht disa metra larg banesës së tyre. Vëllai i viktimës, Haxhi Kotarja u ka rrëfyer hetuesve të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe tani policia po punon për identifikimin e personave të maskuar dhe kapjen e tyre. Dy vëllezërit Kotarja kanë në pronësi të tyre një pikë të këmbimit valutor pranë ish lulishtes “1 maji”, në Durrës.





