DURRËS, 10 tetor 2014 – Në komandën e Forcës Detare (FD) në Plepa të Durrësit po vazhdojnë përgatitjet për stërvitjen më të re të quajtur “Joni-2014”, që do zhvillohet në rajonin e gjirit të Pashalimanit, njoftoi ushtria.
Në një konferencë të posaçme nën drejtimin e shefit të shtabit të FD-së kapiten i rangut II Adnand Agastra morën pjesë specialistë të degës operacionale dhe stërvitjes në Durrës dhe në flotiljen detare të Pashalimanit, zëvendëskomandanti i qendrës kombëtare së zhytjes kapitenlejtnant Laçe Hila, zëvendëskomandanti i kompanisë të batalionit të forcave speciale kapiten Resul Fejzo.
Synohet rritja e kapaciteteve të bashkëpunimit e sigurisë nënujore për kontrollin e anijeve, bankinave dhe moleve gjatë bregëzimit të anijeve në porte, gjire dhe vende të caktuara, si dhe rritja e shkallës së komandim-drejtimit dhe bashkëveprimit gjatë kryerjes së këtyre operacioneve.
Mësohet se në stërvitje, krahas shtabit të FD-së, do të marrin pjesë mjete dhe personel nga flotilja detare e Pashalimanit, batalioni i forcave speciale dhe qendra kombëtare e zhytjeve, që në këtë stërvitje krijojnë një task force të përbashkët.
Po diskutohet për detaje dhe elemente të vendosjes së mjeteve e personelit, ekzekutimit praktik të tematikave e skenarëve, vendosja dhe akomodimi i pjesëmarrësve, mbulimi logjistik i stërvitjes, etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





