· Por bashkia mund t’u merrte përsipër rimbursimin e diferencës së tarifës së privatit, që ka në pronësi aneksin jugor të tregut të përditshëm
DURRËS, 21 tetor 2014 – Z. Afrim Bakaj, ish-drejtori i parkut të udhëtarëve të bashkisë së Durrësit në varësi të z. Vangjush Dako, tani drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në varësi të z. Edmond Panariti, ka dhënë urdhër për të dëbuar 40 qyqarë që shesin në rrugët dhe trotuaret përreth tregut të përditshëm bujqësor të qytetit të Durrësit.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke marrë shkas nga ankesat të ardhura në drejtorinë rajonale të AKU-së në Durrës, lidhur me kushtet jo të përshtatshme në të cilat ndodhen rrugët, trotuaret përreth tregut të përditshëm bujqësor në qytetin e Durrësit, nisi aksioni 4-ditor për inspektimin e këtij tregu, në bashkëpunim dhe me Policinë bashkiake e atë të rendit.
Qëllimi i këtij inspektimi masiv është për të bërë të mundur garantimin e kushteve higjienike, mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, lidhur me kushtet higjeno-sanitare të tregtimit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore, fruta-perime, dokumentacionin shoqërues, sistemin e gjurmueshmërisë.
Gjatë këtij inspektimi drejtoria rajonale e AKUsë Durrës në bashkëpunim dhe me drejtorinë e përgjithshme konstatuan se kushtet e përgjithshme të higjienës janë të papërshtatshme duke zaptuar dhe pa të drejtë hapësirat publike.
Inspektorët e DRAKU-t dhe bashkisë vendosën që 40 tregtarët të lëshonin hapësirat publike, pa marrë përsipër se si do të zgjidhej halli i papunësisë së 40 familjeve, të cilave pushteti vendor mund t’u merrte përsipër rimbursimin e diferencës së tarifës së privatit, që ka në pronësi aneksin jugor të tregut të përditshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





