5 maj 2015 – Sindikata e Bashkuar e Punonjësve të Durrësit, ka denoncuar publikisht shkeljen e të drejtave bazike dhe kushtetuese të mbrojtjes së marrëdhënieve të punës midis punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Drita Gjinali, presidente e Sindikatës së Bashkuar të Punonjësve Durrës, tha se për herë të parë pas 20 viteve po shkelet një marrëdhënie legjitime midis Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a dhe Sindikatës së Bashkuar të Punonjësve të Durrësit.
Kjo sipas Gjinalit vjen menjëherë pas marrjes në pronësi të kësaj ndërmarrjeje nga bashkia Durrës, duke refuzuar kontratat kolektive si një presion i hapur politik me qëllim influencimin e punëmarrësve.
"Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a në prag të fushatës zgjedhore, ku mendojmë se ky është një presion i hapur politik ka detyruar të gjithë punonjësit të firmosin një kontratë kolektive anonime, pa i sqaruar punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Sot jemi përballë një shkelje të rëndë të ligjit kushtetues, detyrimeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, të drejtave të njëriut si dhe thyerjes në mënyrë të njëanshme të një besimit reciprok të krijuar për 20 vjet midis Sindikatave dhe punëdhënësve publik", tha Drita Gjinali, presidente e Sindikatës së Bashkuar të Punonjësve Durrës
Reagimi i Ujësjellës Kanalizme sh.a
Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës, në bazë të Kodit të Punës, ka nënshkruar kontratën kolektive të punës me nr. 901 prot, datë 20.4.2010, e cila ka përfunduar në datën 20.4.2013. Kontrata është lidhur midis UKD-së dhe Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Ndërtimit e Shërbimit Publik me president Z. Sherif Bulku dhe Sindikatën e Bashkuar të Punonjësve përfaqësuar nga Znj. Drita Gjinali.
Në përfundim të kontratës, për një periudhë afro dy vjeçare, nga kjo Sindikatë nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare për rinovimin e kontratës. Nga ana tjetër në kontrollin e ushtruar nga KLSH-ja pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës është cilësuar shkelje fakti që UKD-ja nuk ka një kontratë kolektive te punes me sindikatën, si mbrojtëse e të drejtave të punonjësve.
Në këto kushte UKD-ja detyrohet të zgjidhë kontratën me Sindikatën e Pavarur të Punonjësve dhe Sindikatën e Bashkuar të Punonjësve në datën 09.4. 2015 bazuar në nenet 164 dhe 173 të Kodit të Punës.
Për periudhën dy vjecare nuk ka ardhur asnjë shkresë e depozituar në protokollin e UKD-së nga ana e Sindikatës që kishte kontratë nga 20 prilli i vitit 2010 deri në 20 prill 2013.
Tashmë UKD-ja ka hartuar kontratën e re me Këshillin Sindikal të federatës së Sindikatave të Punonjësve të Ndërtimit, Zhvillimit Urban dhe Administratës Publike të Shqipërisë (anëtare e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë) me përfaqësues Kujtim Myrtaj, sekretar i përgjithshëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





