· Kapitaneria e Durrësit, Administrata Detare dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk denjojnë të informojnë për një ngjarje detare josekrete, teksa e bën këtë Ushtria Shqiptare
DURRËS, 10 qershor 2014 – Një skaf i ndërtuar në SHBA, dhuruar Shqipërisë, ka mundur të shpëtojë një jaht rus me vela, që pësoi avari fundjavën e kaluar në ujërat ndërkombëtare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, ngjarja interesante bëhet e ditur nga zyra e shtypit e Forcës Detare, e cila ia dorëzoi Kapitanerisë në Durrës, kjo e fundit nuk bën njoftim zyrtar, me urdhër të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
Ushtria shqiptare informon se ka zgjatur rreth 8 orë operacioni i shpëtimit dhe rimorkimit të velierës “Diana” me flamur rus, i cili ishte nisur nga porti i Tivarit, Mali i Zi.
Komanda e Forcës Detare saktëson se rreth orës 16:20 të datës 7 qershor 2014 jahti luksoz “Diana”, pësoi defekt në timon dhe motor dhe, për pasojë, ka kërkuar ndihmë rreth 29 milje në perëndim të Durrësit, në ujërat ndërkombëtare.
Pas konfirmimit të sinjalit nga QBO-ja (Qendra e Bashkuar Operacionale) dhe nga qendra SAR Romë, me urdhër të komandantit të Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti, është urdhëruar dalja e anijes së gatshme P-118 (klasi Seaspectre Mk III, skaf i shpejtë për forcat speciale, ndërtim amerikan, dhuruar Shqipërisë). Rreth orës 20:15 është bërë i mundur afrimi në rajonin e avarisë së velierës.
Në pamundësi komunikim me kapitenin e jahtit me shtetësi ruse për shkak të gjuhës dhe pas konfirmimit nga Komanda e FD-së në Plepa, u bë rimorkimi i velierës për në portin e Durrësit, bregëzimi i saj rreth orës 1:55 të pas mesit të natës të datës 8 qershor 2014 dhe dorëzimi tek autoritetet e Kapitanerisë së Portit, ku u bë e mundur marrja e një informacioni më të hollësishëm mbi ngjarjen, thanë në Plepa.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





