Sapo ka hyrë muaji gusht, të tre kompanitë e lundrimit që operojnë në portin e Durrësit, me një marrëveshje të heshtur me njëra tjetrën kanë trefishuar çmimet e biletave në linjës Durrës-Bari e anasjalltas.

Janë emigrantët shqiptarë, që kthehen për pushime në atdhe, që kanë bërë publik shqetësimin e tyre. Sipas emigrantëve, ky është një abuzim i hapur për të cilin duhet të marrin masa konkrete strukturat përgjegjëse të shtetit. Nga 47 euro që ka qënë çmimi i një bilete të thjeshtë në linjën Durrës-Bari aktualisht ka shkuar jo më pak se 110 euro.

Në intervistat e dhëna për DurrësLajm emigrantët deklarojnë se sapo kanë shkuar në Bari për të prerë biletën janë njohur me çmimet stratosferike.

“4 veta dhe makina një mijë euro bileta, sikur po fluturojmë për në USA” thotë një emigrant.

“Tre persona 630 euro dhe makina vetëm për të ardhur. Po abuzojnë, po na rrjepin kokën” thotë një tjetër.

"Është skandal i madh kjo gjë që po na bëjnë, sepse sheti bën sehir ndërsa të tre kompanitë kanë rritur çmimet në stratosferë” thotë një emigrant i sapo mbërritur në portin e Durrësit.

Kompanitë e lundrimeve midis dy brigjeve të Adriatikut sapo vërejnë se fillon fluksi i lëvizjeve, në mënyrë të rrufeshme rrisin çmimet e biletave. 

K.H.