7 gusht 2015 –  Spitali publik rajonal i Durrësit (SRD) ka përballuar një vëllim të madh pune gjatë 6-mujorit të parë 2015.

Sipas burimeve zyrtare, në periudhën janar-qershor 2015 në SRD, vetëm laboratori klinik-biokimik ka bërë 95 248 analiza në krahasim me 63 470 analiza në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Me futjen e aparaturave të reja të Cell-counter dhe fotometrisë realizimi i ekzaminimeve ngrihet në një nivel më cilësor. Futja e një analizatori do të bëjë të mundur kryerjen e ekzaminimeve hormonale. Laboratori klinik-biokimik është njësi e rëndësishme funksionale me rëndësi në aktivitetin ekzaminues, diagnostikues dhe trajtimin e patologjive të ndryshme. Aktiviteti i  brendshëm i laboratorit konsiston në një gamë prej 77 ekzaminimesh klinike dhe biokimike që u përgjigjen shërbimeve të sëmundjeve të brendshme, maternitetit, anestezi-reanimacionit, kirurgjisë, pediatrisë, urgjencë-pranimit dhe ambulatorëve.

Po ashtu gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë trajtuar 7 947 pacientë të shtruar. Janë realizuar 2 038 operacione gjithsej. Në maternitet ka pasur 1 183 lindje të gjalla.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/