DURRËS, 9 shtator 2013 – Mes shumë vështirësish spitali rajonal i Durrësit mund të zbusë disi mungesat e shumta në ilaçe, reagjentë etj, pasi ka zhvilluar dy tenderë dhe pret livrimin e mallrave. Spitali Rajonal Durrës njofton më 9 shtator se pret të nënshkruajë kontratë për blerje medikamentesh me firmën Incomed shpk në Tiranë, që ka fituar tenderin më 22 gusht 2013, me ofertën 5 283 300 lekësh, kur fondi limit ishte 5 287 535 lekë nga buxheti i shtetit. Më 26 gusht 2013 u nënshkrua një kontratë me vlerë 659 800 lekë me firmën e Tiranës Genius shpk për blerje kitesh për cell-counter, testesh për hemo-gas-analizator plus elektro-limeter, kasetash për aparatin easylyte-calcium prodhuar nga Medica. Investimi është bërë nga të ardhurat e trashëguara. Tenderi u zhvillua më 22 korrik 2013. Ndërkaq spitali rajonal Durrës ka nënshkruar më 4 shtator 2013 një kontratë për blerje materialesh ndriçimi me vlerë 908 250 lekë me fonde të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Nga dita e nënshkrimit të kontratës, firma “Meni”shpk, Tiranë duhet të livrojë mallin brenda dy muajve nga nënshkrimi i kontratës. Tenderi u zhvillua më 22 korrik 2013.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/