DURRËS, 19 janar 2015 – Në Spitallë jepen 500 ha për 35 vjet me çmimin simbolik 1 euro për zhvillimin e zonës së lirë për veprimtari prodhuese, industriale dhe agropërpunim; tregtare dhe magazinim mallrash; shërbime; ndërkohë që nuk dihet fati i kampusit universitar.
Në mbledhjen e fundi të Qeverisë, më 28 janar 2015, u vendos shpallja e zonës ekonomike, me statusin “Zonë e lirë”, të territorit, me sipërfaqe 500 ha, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517, në Spitallë, Durrës. Lloji i veprimtarisë që do të zhvillohet në këtë zonë është prodhuese, industriale dhe agropërpunim; tregtare dhe magazinim mallrash; shërbime. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet. Zona jepet me çmimin simbolik 1 euro. Për pjesët e truallit të kësaj zone, që janë pronë private, bëhet shpronësimi.
Kabineti i z. Edi Rama ka shfuqizuar dy vendime të Këshillit të Ministrave, nr. 213, datë 16.3.2011, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të pronës, tokë bujqësore, të ndodhur në ish-Ndërmarrjen Bujqësore, Spitallë, Durrës, nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për ndërtimin e një kampusi të ri universitar”, dhe nr. 246, datë 12.4.2012, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të një territori të zonës ekonomike Spitallë, Durrës, dhe miratimin e bonusit për shoqërinë”.
Ndërkohë mbetet e paqartë e ardhmja e kampusit universitar, pasi në vendimin e 2015-ës nuk është dhënë asnjë sqarim për procedurat. Sipas vendimit të marrë 4 vjet më parë, më 16 mars 2011 nga kabineti i z. Sali Berisha, u vendos ndryshimi i përgjegjësisë së administrimit të pronës së regjistruar, si tokë bujqësore, e ndodhur në zonën kadastrale nr. 8517, në parcelat nr. 78 a, 79 a, 80 a dhe 81 a, me një sipërfaqe të përgjithshme 55.65 ha, në ish-Ndërmarrjen Bujqësore, Spitallë Durrës, për nevojat e universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për ndërtimin e kampusit të ri universitar. Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, pas marrjes në përdorim të pronës së përcaktuar në këtë vendim, i ndalohet ta ndryshojë destinacionin, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve. U ngarkuan Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





