Durres, 28 gusht 2014-Orët e para të ditës së sotme Seksioni Kundër Narkotikëve finalizoi një operacion policor, koduar “Stacioni”, i cili kishte si objekt goditjen  e një grupi që kryente grumbullimin e lëndëve narkotike  nga disa rrethe të vendit, me qëllim  tregëtimin në tregun e brendshëm.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe u shpall në kërkim një i gjashtë, të gjithë banorë të zonave të ndryshme në Shkodër, Krujë, Laç, Fushë Krujë, të cilët u identifikuan gjatë hetimeve si të implikuar në këtë veprimtari.

Konkretisht u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1-Bardhok Përndoi, 40 vjec, banues në Laç.

2-Gjon Shponi, 31 vjec, banues në Gur i Zi Shkodër.

3-Bledi Shyti (Zefi), 31 vjec, banues në Vau i Dejës Shkodër.

4-Arjan Boka, 55 vjec, banues në Krujë.

5-Isuf Rama, 57 vjec, banues në Fushë Krujë.

Po kështu u shpall në kërkim shtetasi Fred (Alfred) Balloku, 33 vjec,  banues në Kurbin.

Përgjatë veprimeve proceduriale që u ndërmorën gjatë operacionit policor, në banesën e shtetasit Isuf Rama në Fushë Krujë u gjetën  e sekuestruan 8 thasë me lëndë të thatë narkotike të llojit Kanabis Sativa (boçe e thatë), e cila nga peshimi rezultoi në masën e 110 kg lëndë si dhe rreth 500  gr lëndë e dyshuar si narkotike e llojit Kokainë, të cilat u sekuestruan. Për llogari të hetimit u sekuestrua edhe automjeti Benz C Class  me targa AA002 CC dhe 12 copë telefona celularë.

Nga hetimet  e deritanishme rezulton se lënda narkotike grumbullohej nga këta shtetas nga zona të ndryshme kultivimi si Shkodër, Laç dhe Krujë, me qellim final tregëtimin e saj të mëvonshëm në qytete të ndryshme të vendit.

Vijon puna hetimore për zbardhjen  e të tjera rrethanave dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet proceduriale iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë për veprën penale “Prodhim, shitje lëndësh narkotike “.agjencia e lajmeve Dyrrah