Startoi sot edicioni i VII-të i Festivalit të Këngëve Korale.
15 shkolla 9-vjeçare të Durrësit marrin pjesë në këtë aktivitet kulturor.
Organizatori Arian Plaku tha se të gjitha shkollat pjesëmarrëse janë paraqitur mjaft denjësisht.
Festivali po zhvillohet në kuadër të festave të nëntorit dhe për këtë arsye edhe veshjet e nxënësve të shkollave pjesëmarrëse ishin me motive patriotike.
Anëtari i jurisë, Orges Mema nënvizoi rëndësinë e eventeve të tilla për fëmijët.
“Është mirë kur fëmijët ngjiten në skenë, sidomos në këtë kohë që po jetojmë, ku aktivitete të tilla i bëjnë fëmijët të ndihen shumë të motivuar”.
Aktivitete të tilla shërbejnë gjithashtu për të nxjerrë në pah talentet më të spikatur, sepse siç shprehet vetë Mema, vit pas viti janë evidentuar fëmijë të talentuar, që në të ardhmen mund ta përfaqësojnë denjësisht qytetin.
Ditën e sotme do të përzgjidhen shkollat më të mira që kalojnë në finale.
Festivali i Këngëve Korale organizohet me rastin e 14 nëntorit, ditës së çlirimit të qytetit.