Qyteti antik i Durrësit mirëpriti edicionin e 12 të festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës.

Ky edicion u organizua nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”, krijuar në vitin 2004 në Durrës me nismën e disa artistëve durrsakë, në ambientet e muzeut arkeologjik.

Festivali i muzikës së dhomës u çel mbrëmjen e së enjtes me performancën e Antonio Merici-t në violoncel dhe Sebastiano Mesagli në pianoforte.

Drejtuesja artistike Nevila Kalaja u shpreh se pjesëmarrja vit pas viti tregon një nivel më të konsoliduar të këtij eventi. 

Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës do të vijojë më datë 8 korrik me koncertin e duos në violine nga Abigeila Voshtina dhe në piano Elda Laro.

Ndërsa 10 korriku do të sjellë për publikun durrsak koncertin e ansamblit Stinët me pjesëmarrjen e sopranos Eva Golemi dhe dirigjentit Enriko Sartori.

Ky Festival krijon jo vetëm njohjen artistike të kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, Maqedonia, etj, por e plotëson këtë njohje edhe përmes shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.

Vit pas viti ky aktivitet ka plotësuar fizionominë e tij duke u bërë tashmë një aktivitet i mirëpritur nga publiku artdashës durrsak, por gjithashtu i njohur dhe i vlerësuar edhe përtej Shqipërisë. 

K.H.