31 tetor 2015 –  Në rajonin e Kepit të Palit (Bishti i Pallës) u zhvillua stërvitja “Durrës, SAREX – 2015” me personel dhe mjete të Forcës Detare, Forcës Ajrore, Antikondrabandës Detare, Policisë Kufitare dhe të Emigracionit në Durrës, Qendra Operacionale Ndërinstitucionale Detare dhe Inspektoratit të Peshkimit, njoftoi komanda e Forcës Detare me seli në Plepa të Durrësit.

Skenarët e stërvitjes ishin ndërtuar të tillë për të parë dhe testuar nivelin e bashkëpunimit, bashkëveprimit dhe ndërveprueshmërisë të aktorëve që kanë interesa në det. Anije të Forcës Detare, Policisë Kufitare dhe të Antikontrabandës, si dhe helikopterë të Forcës Ajrore, të koordinuar nga Qendra Operacionale Ndërinstitucionale Detare, demonstruan profesionalizëm dhe aftësi profesionale në skenarin e bllokimit të anijes kontrabandë, atë të dhënies së ndihmës në anije në një situatë emergjente, si dhe operacionin me skenar kërkim – shpëtimi.

Stërvitjen e ndoqën nga afër shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të institucioneve që kishin pjesëmarrës në stërvitje si dhe pjesëmarrës të seminarit për kërkim-shpëtimin të realizuar në Tiranë nga Qendra për Bashkëpunim të Sigurisë (RACVIAC), etj.

/portali DurresLajm/