• Dekani Hajdëri edhe distancohet, edhe ngre lart punën e stafit akademik

DURRËS, 23 shkurt 2014 –  Zbulimi i skandalit të korrupsionit ka alarmuar rektoratin e universitetit publik “Aleksandër Moisiu”, që po bën çmos për të ulur efektin në opinionin publik dhe për t’u shfaqur “i virgjër” për ngjarjen në infermieri.

Fill pas reagimit të dekanit të fakultetit studimeve profesionale Asllan Hajdëri mbi arrestimin e dy pedagogëve dhe dy studentëve të UAMD-së për mitmarrje, është organizuar të dielën, më 23 shkurt 2014, një mikro-tubim i disa studentëve (shih në foto) të infermierisë para godinës së universitetit. Ata dolën për të kundërshtuar në prani të kamerave të televizionit “Ora News” arrestimin e dy pedagogëve të tyre nga ana e policisë, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga gjykata. Tri studente (në foto) të intervistuara kanë ngritur në qiell pedagogët Odeta Tota dhe Endrit Sina, duke i konsideruar si shembull për virtyt, që ato nuk kanë paguar ryshfet për provimet dhe se mund të ketë ndonjë prapaskenë; prandaj drejtësia duhet t’i lëshojë sa më parë. Këto fjalë përkonin me deklaratën e shtypit të dekanit të fakultetit studimeve profesionale Asllan Hajdëri: “Procedura e zhvillimit të provimeve bëhet vetëm me shkrim, konform rregullores së UAMD-së dhe të Fakultetit, ku në provim, përveç pedagogut të lëndës qëndron edhe një pedagog tjetër asistues. Korrigjimi i provimeve bëhet nga pedagogu përkatës”. Por zyrtarisht, dekani deklaron: “Distancohemi plotësisht nga aktivitete dhe veprime të tilla, të cilat janë veprime individuale dhe mbajnë përgjegjësi personale sipas ligjit. Kemi bindjen që veprimet individuale të ndonjë pjesëtari të stafit tonë nuk mund ta zbehin apo dëmtojnë punën e jashtëzakonshme të departamentit [dhe është fjala për përgjegjësen e departamentit! – “Dyrrah”-u] dhe të fakultetit të studimeve profesionale”.

Sfondi

Pas tre muaj hetimesh të kryera nga njësia Task-Forcë e prokurorisë së këtij rrethi, dje në orët e para të mëngjesit të 22 shkurtit u finalizua operacioni i koduar "MASTER". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije se gjatë këtij operacioni u prangosën pedagogia Odeta Tota dhe pedagogu Endri Sina, të cilët akuzohen për "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 40-vjeçarja Tota dhe 32-vjeçari Sina, të dy banues në Tiranë, merrnin shuma parash që varionin nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë të reja për provim. Gjithashtu, janë arrestuar dy studente të degës së Infermierisë, të cilat akuzohen për "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm". Bëhet fjalë për 21-vjeçaren Eralda Lika nga Kavaja dhe 39-vjeçaren Merushe Bocerri nga Durrësi. Mësohet se dy studentet shërbenin si seksere.

DENONCIMI

Burime zyrtare nga Prokuroria dje pohuan se një studente pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale në universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, ka deklaruar se më datë 19.09.2013 ka kryer provim në lëndën e Kimisë, me pedagoge Odeta Tota (dhe shefe departamenti në këtë universitet), e cila pak minuta para se të hynte në provim i ka kërkuar dhe marrë për shkak të detyrës një përfitim të paligjshëm në vlerën 15 mijë lekë për të marrë notë kaluese. Mësohet se Tota, pasi ka marrë paratë i ka dhënë studentes tezën e provimit të fotografuar. Më 08.11.2013, studentja ka bërë denoncim në prokurori.

HETIMI

Gjatë hetimeve është dokumentuar se Odeta Tota komunikonte me Merushe Bocerrin, studente në vitin e dytë për Infermieri në sistemin Part-Time dhe Eralda Likën, e cila është studente ne vitin e tretë për Infermieri në sistemin e ditës. Sipas hetuesve të çështjes, dy studentet për të gjitha provimet e ditës për lëndën e Kimisë në degën Infermieri, kërkonin para nga studentët e tjerë për të ndikuar tek pedagogia Tota, për të kaluar ose për të marrë një notë maksimale. Shuma që kërkonin dy studentet seksere varionte nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë të rinj. Ndërsa Odeta u jepte studentëve tezat e zgjidhura. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pedagogia e Kimisë bashkëpunonte me pedagogun Endrit Sina, i cili ishte në të njëjtën zyrë me të. "Nga hetimet me metoda speciale, përgjim telefoni dhe pamje filmike, ka rezultuar se të ndaluarit në periudha të ndryshme, kanë favorizuar studentë të këtij fakulteti në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme. U arrit të provohet me prova ligjore se për çdo provim pedagogët përfitonin si ryshfet nga çdo student shuma të ndryshme parash në bazë të notës që kërkonin", deklaruan burimet nga organi i akuzës. (Klodiana Haxhiaj, me shkurtime nga “Gazeta Shqiptare”)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/