50 studentë të grupit të parë të navigacionit, të cilët kanë përfunduar kursin e parë të kësaj dege në Fakultetin e Studimeve Profesionale janë punësuar direkt në industrinë detare.
“Kërkesat për këtë degë shumë të rëndësishme për qytetin port të Durrësit janë të larta”, deklaroi dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Osman Metalla.
Kjo është një degë e re, por që ka patur impakt të drejtpërdrejtë në tregun e punës në Durrës për shkak se profesionistët e kësaj dege kanë munguar për vite me radhë, duke bërë që tregu të ketë “uri” për studentët e degës së navigimit.
Gjatë këtij viti nuk do të ketë programe të reja studimi, por stafi i universitetit ka menduar hapjen e një sërë laboratoresh të reja që do të jenë në funksion të studentëve të teknologjisë së informacionit apo navigimit detar.
Të gjithë studentët e kësaj dege vlerësohen për njohuritë e tyre nga tregu i punës. Ata punësohen direkt në anijet jo vetëm me flamur shqiptar, por edhe të huaj.
Në Durrës, prej vitesh kanë munguar specialistët e mirëfilltë të navigacionit detar.
K.H.





