Studentja e UAMD-së, Lidia Reçi nderohet me çmimin e tretë në konkursin kombëtar të punimeve kërkimore studentore, mes 32 punimeve pjesëmarrëse.
Konkursi i organizuar nga Projekti CleanScore i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe përdorimin e bibliotekës digjitale JSTOR.
Kjo është hera e dytë që studentja Lidia Reçi shpallet fituese në këtë konkurs.
Postimi i UAMD-së:
Më 15 dhjetor, 2021, u zhvillua konkursi i dytë kombëtar i punimeve kërkimore studentore organizuar nga Projekti CleanScore i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Në këtë konkurs u paraqitën 32 punime, pas një punë të mirëfilltë kërkimore dhe kalimit të kontrollit të antiplagjiaturës.
Në konkurs nga UAMD-ja morën pjesë 4 studentë, ndërsa Lidia Reçi u vlerësua nga juria me çmimin e tretë. Kjo është pjesëmarrja e dytë e Lidias në këtë konkurs dhe në të dyja herët ajo shpallet fituese.
CleanScore e ka ndërmarrë nismën për të zhvilluar “Konkursin Kombëtar të Punimeve Kërkimore“ për të nxitur kërkimin shkencor cilësor, si dhe përdorimin e bibliotekës digjitale JSTOR. Përmes procesit të kërkimit në konkursin e CleanScore, studentëve iu çelen dritare të reja të të nxënit dhe të rritjes personale dhe profesionale.
UAMD inkurajon studentët aktualë të aplikojnë në thirrjen e tretë të konkursit të punimeve kërkimore të CleanScore. Informacion të detajuar mund të gjeni në faqen zyrtare të projektit CleanScore.