·        Morën pjesë 500 nxënës të moshave 15-20 vjeç, që u zgjodhën rastësisht në 5 shkolla të mesme publike të qarkut

·        Prindërve u mungon informacioni dhe mjetet e duhura të komunikimit kur u duhet të përballen me fëmijët e tyre

 

DURRËS, 7 korrik 2013 –Prindërit durrsakë e kanë të vështirë të komunikojnë me fëmijët e tyre adoleshentë për çështjet e edukimit dhe shëndetit seksual.

Para disa kohësh, me mbështetjen e këshillueses psiko-sociale të organizatës ndërkombëtare bamirëse Terre des hommes, disa psikologë shkollash në varësi të Drejtorisë Arsimore të Durrësit ndërmorën një studim mbi sjelljet seksuale në adoleshencë.

Në këtë studim morën pjesë 500 nxënës të moshave 15-20 vjeç, që u zgjodhën rastësisht në 5 shkolla të mesme publike të qarkut të Durrësit.

Rezultatet përfundimtare të këtij studimi u diskutuan në një seri tryezash të rrumbullakëta, ku ishin ftuar të merrnin pjesë shumë drejtorë shkollash, mësues, psikologë dhe përfaqësues nga senatet e shkollave.

Ky studim rekomandon që prindërit, institucionet arsimore dhe organet vendore të shëndetit publik duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin me qëllim që adoleshentët të marrin edukimin dhe njohuritë e duhura mbi shëndetin seksual, gjë që pengohet nga tabutë kulturore dhe vështirësitë që kanë prindërit në komunikimin e këtyre çështjeve.

“Prindërit e kanë të vështirë të komunikojnë me fëmijët e tyre adoleshentë për çështjet e edukimit dhe shëndetit seksual si rezultat i tabuve ekzistuese kulturore. Prindërve u mungon informacioni dhe mjetet e duhura të komunikimit kur u duhet të përballen me fëmijët e tyre dhe t’i këshillojnë për ndryshimet në adoleshencë.

Në këtë drejtim, psikologu i shkollës mund të organizojë mbledhje informuese dhe trajnimi me prindërit”, vëren ndër të tjera studimi, njofton buletini i Terre des hommes.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/