· Flitet për një “hidrobombë” me 4.5 milionë metra kub ujë në “tentakulat” e basenit me sipërfaqe të pasqyrës ujore prej 60 ha!
· Diga rrezikohej të çahej dhe të shkaktonte përmbytje masive në të gjithë zonën e fshatrat turistikë të Golemit, Shkëmbit të Kavajës (ka investime miliona eurosh në vila dhe struktura turistike) dhe një pjesë të mirë të plazhit të Durrësit
DURRËS, 8 shkurt 2015 – “Përbindëshi” / ujëmbledhësi i Manskurisë, që furnizon me ujë të pijshëm Kavajën dhe disa komuna, u vendos në kontroll, kështu garantuan Ministrat e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe ai i Transportit e Infrastrukturës Edmond Haxhinasto. Diga rrezikohej të çahej dhe të shkaktonte përmbytje masive në të gjithë zonën e fshatrat turistikë të Golemit, Shkëmbit të Kvajës (ka investime miliona eurosh në vila dhe struktura turistike) dhe një pjesë të mirë të plazhit të Durrësit. Flitet për një “hidrobombë” me 4.5 milionë metra kub ujë!
Pas 4 ditëve, të dielën, më 8 shkurt 2015, nën një shi të shtruar, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, dhe ai i Transporteve e Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektuan ujëmbledhësin e Manskurisë. Me përpjekje të mëdha u arrit të zhbllokohet ujëlëshuesi i rezervuarit, i bllokuar prej disa vitesh, gjë që nuk mundësonte mbajtjen e nivelit të ujit në parametra normalë. Në ndihme të grupeve të emergjencës ka ardhur edhe një grup i forcës së sigurisë së Kosovës, i cili po mbikëqyr sasinë e ujit që hyn dhe del në rezervuar. Ky grup ka sjellë edhe një pompe për shkarkimin e ujit të tepërt. Ndërkohë, specialistët e ujësjellësit të Kavajës po bëjnë matje të vazhdueshme për të mos e ulur nivelin e ujit në atë masë që të rrezikohet furnizimi i popullatës me ujë gjatë sezonit turistik. Specialistët po kryejnë pastrimin e sistemit të shkarkimit dhe kthimin e tij në funksion të plotë.
Saimir Tahiri tha:
“E keqja nuk ka kaluar dhe të gjitha strukturat dhe qeveria janë në gatishmëri. Të gjitha forcat janë në gatishmëri, prioriteti është shmangia në maksimum e çdo pasoje dhe organizimi i të gjithë rrjetit të solidaritetit dhe dhënies ndihmë për të gjithë qytetarët të cilët janë në kushte të vështira për shkak të përmbytjeve. E gjithë qeveria është në këmbë dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri maksimale. Reshjet janë drejt fundit dhe se situata është e qetë. Po punohet për këtë vepër, për të shmangur rrezikun, sado i vogël të jetë ai. Tahiri theksoi se do të hetohet për të gjetur përgjegjësit për dëmtimin”.
Info
Në vitin 2003 u miratua marrëveshja e huasë të financimit të projektit “Furnizimi me ujë, Kavaja II, Manskuria”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim (KfW).
Projekti kishte për qëllim zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në Kavajë, Golem, fshat Agonas si dhe në zonën e plazhit, gjithsej një popullsi prej rreth 70 000 banorësh.
Si burim i furnizimit me ujë shërben rezervuari i Manskurisë, i cili ka një basen ujëmbledhës me sipërfaqe rreth 9.2 kilometra katrorë. Vëllimi i ujit në rezervuar është 4.5 milionë metra kub, me një sipërfaqe të pasqyrës ujore prej 60 ha.
Sasia e ujit, pas trajtimit në impiant, arrin në 100 litra në sekondë. Impianti i trajtimit ka një skemë të thjeshtuar, por të përshtatshme për sasinë e ujit që përpunohet. Përmban filtrin e ngadalshëm prej rëre me granulometri të ndryshme, dezinfektimin me hipoklorit natriumi si dhe basenet grumbulluese. Me anë të kësaj skeme përpunimi realizohet reduktimi i turbullirës, largimi i lëndëve të veçanta, eliminimi i baktereve, viruseve, parazitëve si dhe nitrifikimi i amonit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





