13 qershor 2015 – Sot, është përuruar Zyra e Shërbimit për Qytetarët, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, nga vetë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri.
Kjo zyrë është e 16-ta e këtij lloji e hapur që prej nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri. Pranë saj qytetarët mund të marrin 45 lloj shërbimesh administrative, të ofruara nga punonjës civilë.
Gjithashtu, zyra është e hapur 24 orë në 24, në çdo ditë të javës, në mënyrë që qytetari të këtë mundësinë të denoncojë veprat penale në çdo kohë.
Risitë e këtyre zyrave shkojnë përtej rikonstruksionit dhe heqjes së barrierave e hapjes së dyerve për qytetarët.
Ky shërbim është eficent, sepse përdor teknologjinë dhe përdor modelin “one stop shop”, lufton korrupsionin, sepse minimizohet kontakti i drejtpërdrejtë që krijonte praktika abuzive, si dhe u sjell qytetarëve shërbimin më pranë.
Disa nga risitë kryesore që do të ofrojnë këto zyra shërbimi janë:
-Kursimi i kohës së qytetarëve
-Rritja e transparencës së punës së Policisë
-Marrja në kohë reale e informacioneve nga qytetarët
-Parandalimi i ngjarjeve të mundshme kriminale
-Reduktimi në maksimum i fenomenit të korrupsionit në radhët e Policisë
-Unifikimi i shërbimeve në të gjithë Komisariatet e Policisë
Një risi në miratimin e kësaj strukture, është se punonjësit të cilët do të ofrojnë shërbimet administrative në këto zyra, nuk janë nga radhët e policisë, por nga jeta civile, ku përparësi i jepet gjinisë femërore, si dhe të kenë mbaruar universitetin në degën e Juridikut, apo të Shkencave Sociale.
Aplikacioni
Ka përfunduar hartimi i aplikacionit që do të menaxhojë shërbimet dhe fishat për çdo shërbim (ku përfshihen edhe formularët), si dhe ka filluar pilotimi i këtij aplikacioni në komisariatet e policisë nr. 2 dhe 4.
Risitë
-Çdo aplikim si i plotë dhe i paplotë është i detyruar të hidhet në aplikacion, ku për aplikimin e paplotë, qytetarit i jepet 15 ditë afat për të plotësuar të gjithë dokumentacionin. Kjo do të shmangë korrupsionin në radhët e personelit që do të shërbejë në këto zyra.
-Në fund të çdo aplikimi, qytetari pajiset me një vërtetim elektronik ( i cili del automatikisht, pas miratimit të aplikimit nga punonjësi sportelit). Në këtë vërtetim elektronik, përshkruhet shërbimi për të cilin ka aplikuar qytetari, dokumentet që ka dorëzuar, si dhe datën që duhet të paraqitet për të marrë përgjigjen. Ky vërtetim elektronik jepet edhe për aplikimet e paplota, por me shënimet përkatëse.
-Dosja e aplikantit nuk lëviz më zyrë më zyrë, por skanohet, dhe në mënyrë automatike i kalon të gjithë punonjësve sipas hapave, të cilët kanë detyrimin për të bërë shënimet përkatëse, ose për të marë vendim në lidhje me kërkesën e qytetarit.
-Në fund të çdo dite pune, nga përgjegjësi i çdo ZSHQ-je, do të hartohet një raport ditor, i cili do të përfshijë dinamikën ditore, si dhe monitorimin e ecurisë të të gjitha aplikimeve që janë në proces (nga ky monitorim do të konstatohen shkeljet e afateve, që mund të bëhen nga punonjësit të cilët kanë detyrimin për të bërë shënimet përkatëse në praktikë).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





