Një aktivitet përkujtimor dhe shkencor u mbajt në ambientet e Torrës Veneciane për studiuesin, historianin dhe arkeologun e njohur Halil Myrto, me rastin e 90-vjetorit të lindjes.
Aktiviteti i organizuar nga Qendra Muzeore Durrës kishte për qëllim të risillte në vëmendje të studiuesve kontributin e vyer, që Myrto ka dhënë ndër vite për trashëgiminë tonë arkeologjike.
Afrim Hoti, një mik dhe koleg i tij, e kujton kështu personalitetin Halil Myrto.
“Ai është nga kontributorët më të rëndësishëm të qytetit të Durrësit për studimet e tij në fushën e arkeologjisë, historisë, por edhe si intelektual i spikatur. Ne sot promovojmë një nga librat e tij, ai ka disa libra të botuar, një përmbledhje të kërkimeve dhe studimeve arkeologjike të kryera rreth 30 vite më parë. Nuk është libri i fundit sepse ka akoma shkrime dhe botime të panjohura, të pa përmbledhura. Myrto përkujtohet edhe për aktivitetin e tij shumë të vyer në Itali, veçanërisht në Universitetin e Leçes, të Kozencës, Salentos dhe universitete të tjera italiane. Ai ka 25 vite që ka ndërruar jetë dhe kjo heshtja e gjatë ne na shtyu që të organizojmë një promovim të shkrimeve të tij, që ishin shumë pak të njohura për lexuesin dhe publikun e qytetit të Durrësi”,- tha Hoti
Gjatë kësaj mbrëmje u promovua botimi “Kërkime Arkeologjike dhe historike, një përmbledhje artikujsh shkencorë”, që është një përmbledhje e punës kërkimore dhe shkencore të Myrtos.
Në mjediset e Torrës Veneciane u bënë bashkë gjatë këtij aktiviteti emra të artit, kulturës dhe arkeologjisë, si dhe miq dhe kolegë të studiuesit, të ndarë nga jeta 25 vite më parë.
M.B.