Ministria e Punëve të Jashtme publikoi sot programin e takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Durrës më 30 – 31 mars. Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe komisioneri i BE për zgjerimin Johannes Hahn, si edhe Goran Svilanovic, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ministri i jashtëm çek Lubomir Zaoralek në cilësinë e kryesuesit të radhës së Grupit të Vishegradit, nënsekretari i jashtëm italian Vincenzo Amendola, etj.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, ky ministerial, që pason Samitin e Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Vjenë më 27 gusht 2015, do t'u ofrojë pjesëmarrësve mundësinë për të vlerësuar dhe thelluar më tej punën e bërë mbi projektet rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, që do të mbahet në korrik.

Programi i ministerialit është si vijon:

  • më  30 mars, ora 17:20, në Hotel "Palace", Durrës, do të nisin punimet e takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e komisionerit Hahn
  • më 31 mars, ora 08:30, në Muzeun Arkeologjik në Durrës, do të zhvillohet sesioni i punës i takimit
  • në orën 12:00, ministri i jashtëm Ditmir Bushati së bashku me komisionerin Hahn do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Durrës
  • në orën 16:00, ministri i jashtëm Ditmir Bushati do të presë në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme ministrin e jashtëm çek Lubomir Zaoralek, ku pas takimit do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.