DURRES – Ndalohet një 21 vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Burime nga komisariati i policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim rreth një vit më parë për një tentativë vrasjeje.

Në kuadër të plan operacionit të koduar “Takimi”, të vënë në zbatim nga efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja në lagjen Nr.3 Durrës e të riut Serxhino Noka, 21 vjeç, lindur e banues në Fushë Krujë.

Më 9 dhjetor të vitit 2011, 21 vjeçari Noka, në bashkëpunim edhe me shtetasin N.N., rreth orës 10.20, në qytetin e Fushë Krujës, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me thikë duke i shkaktuar plagë të rënda shtetasit G.U., 17 vjeç.

Pas tentativës së vrasjes, Noka është larguar në drejtim të paditur dhe është shpallur në kërkim nga policia 10 ditë më vonë. Gjykata e Rrethit Gjygjësor Krujë, me vendim datë 26.06.2012 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, por deri tani vendimi ka mbetur i pazbatuar për shkak se forcat e rendit nuk kishin mundur të lokalizonin vendndodhjen e Nokës.  

Materialet iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Krujë.