DURRES, 7 maj 2013- 14 nga 18 kompani private të cilat operojnë për riciklimin e mbetjeve të ngurta dhe të lëngshme, i është pezulluar leja mjedisore. Alfren Deshati, drejtori i kontrollit të Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedisit pohon se ka kompani fiktive të cilët operojnë në portet shqiptare pa leje mjedisore, duke shkaktuar ndotje ekologjike. Sipas tij, asnjë subjekt në vendin tonë nuk i plotëson standartet e vendosura nga bashkimi europian për riciklimin e mbetjeve në një impiant përkatës, por këta të fundit mashtrojnë, duke hedhur në treg një produkt mjaft të rrezikshëm për komunitetin.
“Pikërisht këta produkte të rrezikshme shkojnë për furrat e bukës, kaldajat, karburantet apo hidhen në rrugë nga kompani fantazëm të cilat nuk kryejnë riciklimin e tyre, por mashtrojnë duke bërë sikur i plotësojnë të gjitha standartet e vendosura nga Bashkimi Europian, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Deshati.
Sipas tij, Ministria e Mjedisit nuk ka për qëllim gjobitjen dhe penalizimin e subjekteve, por disiplinimin e tyre në zbatim të ligjit e standarteve të vendosura nga Bashkimi Europian. Në këtë kuadër administrata detare në bashkëpunim me ministrinë e Mjesidit, brenda një muaji do të krijojnë grupin e task-forcës, për monitorimin e ndotjes detare nga tragetet dhe mjetet e tjera lundruese. Drejtori i përgjithshëm Detar, Gazmir Tahiri, tha se brenda një muaji të gjitha portet në vendin tonë do të jenë të detyruar që të kenë një facilitet portual të trajtimit dhe seperimit të mbetjeve të të gjitha llojeve, përfshirë edhe mbetjet e ngurta të hambareve të tankeve dhe anijeve pas shkarkimit.
“Të gjitha subjektet, pronarët e anijeve, njerëzit që kanë vizituar botën e dinë mirë që, shkeljet ekologjike penalizohen me vlera tepër të larta monetare duke filluar nga 70–100 mijë euro për një ndotje minimale, ndërkohë që këtu fryma e tolerimit dhe mungesa e sistemit, ka bërë që shkeljet të kosderohen dhe të tolerohen me një dorë të lëshuar”, u shpreh në fjalën e tij Tahiri.
Sipas Tahirit, shumë shpejt ndryshimet radikale në fushën e mbetjeve do të jenë të prekshme dhe administrata e ngarkuar, për të monitoruar situatën do të gjejë bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse në zbatim të ligjit, duke garantuar minimizim të ndotjes ekologjike. Grupi i taks-forcës do të monitorojë të gjithë portet shqiptare me qëllim minimizimin e ndotjes ekologjike, e cila vjen si pasojë e mungesës së riciklimit të mbetjeve të ngurta e të lëngshme nga mjetet lundruese. Ndërsa të gjithë kompanitë që nuk zbatojnë ligjin do të penalizohen me gjobë me 100 mijë euro, deri në pezullim të aktivitetit.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





