DURRËS, 30 qershor 2014 – Jo vetëm arrin rekordin historik në Shqipëri, teksa i mbesin në provimin e matematikës të këtij viti 100 për qind e maturantëve, por shkollës private “Talenti” i janë sekuestruar pasuritë në dy raste në prag të maturës shtetërore 2014.
Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (shih faksimilen e ekstraktit historik), më 7 tetor 2013, shoqëria "Shërbimi Përmbarimor ZIG" shpk ka njoftuar se gjykata ka vendosur masën e sekuestros konservative në aktivet e shoqërisë "Talenti" shpk deri në një urdhëresë të dytë.
Më 26 shkurt 2014, shoqëria përmbarimore “Strati Bailiff’s Service” shpk, ka urdhëruar vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi aktivet e palës debitore në shoqërinë "Talenti" shpk deri në një urdhër të dytë.
Shkolla është themeluar më 21 shtator 2007 dhe regjistruar më 12 dhjetor 2007, si shoqëria private “Talenti”, shpk.
Ka dhe “gallatë” me adresën: thuhet se ndodhet në “lagjja 13, në Shkallnuer, Plepa, pranë karburantit “Daminoil””, por lagjja 13 është nën juridiksionin e bashkisë Durrës; kurse fshati Shkallnur është nën juridiksionin e komunës së Rrashbullit; Plepat janë në bashkinë Durrës!
Po ashtu kjo firmë arsimore ka hapur shkollë edhe në territorin e bashkisë së Kamzës, në godinën e ish-shkollës “Elina”, pas fushës së futbollit “Dajti”; në koncertet “Talenti” ka argëtuar edhe kryetarin, të famshmin dr. Xhelal Mziu.
Ka një spektër të gjerë: hapje institucionesh të arsimit parauniversitar privat (kopshte, shkolla 9-vjeçare, shkolla të mesme të përgjithshme të profilizuara, shkolla të mesme artistike me të gjitha degët, shkolla sportive, të gjuhëve të huaja etj.) kurse parauniversitare të llojeve të ndryshme etj.
Në FB e “Talenti”-t shpk janë botuar foto nga festa e maturës 2014 (shih) pa dalë rezultatet e matematikës.
Info / Demaskimi në vitin 2009
Në janar 2009 dega e Partisë Socialiste në Durrës ka denoncuar një skandal unikal në gjithë historinë e shkollës shqipe, një skandal ku sipas koordinatorit të arsimit të kësaj partie në Durrës, Eduard Prenga janë të përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të Drejtorisë Arsimore Durrës dhe të Ministrisë së Arsimit.
PS-ja ka denoncuar mbylljen korruptuese të dyerve të shkollave publike, për të ushqyer ato të shkollave private me qëllim përfitimin personal. Pas ndërrimit të sistemit arsimor nga 8-vjeçar në 9-vjeçar, qindra nxënës që kishin mbaruar klasën e 8-të para 2008- ës mbetën rrugëve. Në pamundësi për të ndjekur vitin e parë të gjimnazit në shkolla publike me kohë të plotë, ata iu drejtuan dyerve të drejtorisë arsimore për të vazhduar gjimnazin me korrespondencë, ku morën një përgjigje edhe më skandaloze: mbyllje e gjimnazeve publike me korrespondencë. Për të mbushur këtë hapësirë, kaq bujarisht të krijuar nga Ministria Arsimit, në Durrës, në periferi të fshatit Shkallnur të komunës Rrashbull, aty ku qeveria Berisha nuk është interesuar ndonjëherë nëse klasat kanë dyer e dritare, aty ku mbi 20.000 banorë nuk kanë një shkollë të mesme publike, është licencuar shkolla e mesme private me korrespondencë, e vetmja në gjithë Shqipërinë, ku të gjithë ata nxënës që MASH-i i la rrugëve, kanë mundësi të regjistrohen me korrespondencë duke paguar tarifën 60.000 lekë në vit.
Madje, sipas PS-së Durrës, drejtues të kësaj shkolle në vitin ishin dy inspektorë të Drejtorisë Arsimore të Durrësit, në konflikt të hapur interesi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





